Të fundit

24 vjet uzurpator – zyrtari i lartë i Policisë refuzon ta lirojë banesën

Dyshime për uzurpim të pronës, ankesa dhe një urdhër për dëbim. Izet Azizi ka qenë shpeshherë në shënjestër. Drejtori i Divizionit për Standarde Profesionale në Policinë e Kosovës po hetohet për uzurpimin e një banese në Prishtinë.

Paparaci.com

Që nga fundi i vitit 1999, Izet Azizi është vendosur në një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Qëndrimi i tij tash e 25 vite në këtë pronë të paluajtshme në kryeqytet, megjithatë, është kontestuar nga pronari që posedon të drejtën pronësore.

Dyshime për uzurpim të pronës, ankesa dhe një urdhër për dëbim. Azizi ka qenë shpeshherë në shënjestër.

Ai mban gradën kolonel dhe është drejtor i Divizionit për Standarde në Policinë e Kosovës.

I dyshuar për uzurpim të paligjshëm të një banese me sipërfaqe 57 metra katror në kryeqytet, Izet Azizi është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Hetimi ka nisur pas kërkesës së pronarit të banesës, serbit Ivan Saviçeviq nga Prishtina, i cili përfaqësohet nga një shqiptar i Kosovës. Saviçeviq ka vdekur, ndërsa trashëgimtare e pronës është vajza e tij, Mirjana.

“Në banesën e theksuar më lartë në mënyrë të kundërligjshme-arbitrare është vendosur pas vitit 1999”, thuhet në kërkesën që është dorëzuar pranë Inspektoratit Policor më 5 mars të këtij viti.


Kërkesa drejtuar IPK-së

Në të njëjtën shkresë, thuhet se Azizi ishte dëbuar njëherë me dhunë në vitin 2004 nga Komisioni për Çështje Banesore dhe Pronësore, një mekanizëm i krijuar dhe drejtuar nga UNMIK-u.

“Izet Azizi nga Ferizaj, punon drejtor i Divizionit për Standarde në Policinë e Kosovës, i cili njëherësh është dëbuar me dhunë nga Komisioni për Çështje Banesore në vitin 2004”, thuhet në kërkesë.

“Por i njëjti duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, në mënyrë arbitrare, përsëri është vendosur në të njëjtën banesë edhe pse është refuzuar nga Komisioni për çështje Pronësore Banesore”.

Vendimi i Komisionit për Çështje Banesore ishte marrë më 6 prill, 2004. Izet Azizit i refuzohej e drejta për banim në pronën e dyshuar si të uzurpuar.

Sipas vendimit të Komisionit, të cilin e posedon edhe Inspektorati Policor, koloneli policor urdhërohej që ta lironte pronën brenda 30 ditësh.

“Në vendimin grupor, datë 6 prill 2004, Komisioni për çështje Pronësore Banesore mori vendim mbi kërkesën më lart me urdhrin që: Nëse pala përgjegjëse apo ndonjë person tjetër që banon në këtë pronë nuk i bindet urdhrit që ta lirojë pronën brenda afatit të caktuar, të dëbohen nga prona”, thuhej në vendim.

Vendimi i Komisionit për Çështje Banesore

Familja e Ivan Saviçeviqit, e cila jeton në Nish të Serbisë, i kërkon IPK-së që të ndërmarrë veprime që Azizi ta lirojë pronën.

“Propozoj që organi kompetent i Inspektoratit të Policisë së Kosovës t’i ndërmarr të gjitha veprimet liugjore ndaj uzurpatorit Izet Azizi dhe të lirojë banesën më lartë”, përfundon kërkesa.

Ndërsa Azizi vazhdon të banojë në pronën e dyshuar si të uzurpuar, Inspektorati Policor ka nisur një hetim për lëndën. Ka thënë se hetimi ndodhet në fazën paraprake.

“Referuar pyetjeve nga mediumi juaj Paparaci, IPK konfirmon se ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë dhe është duke e trajtuar në fazën e hetimit paraprak. Në varësi të të gjeturave, do të procedohet sipas legjislacionit në fuqi”, i tha IPK-ja, Paparacit, në një përgjigje me shkrim më 20 mars.

Paparaci, më 20 mars ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës dhe kolonelit Azizi për të marrë sqarime rreth uzurpimit të dyshuar të pronës, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci