Të fundit

Mbi 30 milionë €: Tri konzorciume fituese të tenderit për rrugën Prizren-Tetovë, përfiton edhe “Daja i Vetëvendosjes”

A ju kujtohet Florent Ramqaj, këshilltari i ministrit Liburn Aliu? Para pesë muajsh është rikthyer të punojë në biznesin e dajës së tij, Halil Jahajt. Kompania ka marrë hise në një kontratë mbi tetë milionë euroshe për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Vlera e përgjithshme e tenderit sillet rreth 30 milionë euro. Përfitues dyshohet se është një oligark nga Tirana dhe disa kompani vendore.

Tri konzorciume janë shpërblyer me kontrata në vlerë të përgjithshme mbi 30 milionë euro për ndërtimin e rrugës Prizren – kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë).

Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, të martën i ka rekomanduar për kontrata të ndara në tri llote tri bashkësi të ndryshme të operatorëve ekonomikë, dy të kryesuara nga kompani ndërtimore vendore dhe një tjetër i udhëhequr nga një kompani nga Tirana.

Tenderi për ndërtimin e rrugës Prizren – Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), është i ndarë në tri pjesë.

Për tri llotet e tenderit, Ministria i ka rekomanduar për kontratë ofertat me çmimin më të ulët të përgjegjshëm. I ka eliminuar si të papërgjegjshme disa oferta më të ulëta sesa ato fituese.

Llotin e parë e ka fituar një konzorcium i kryesuar nga kompania ndërtimore me seli në Tiranë, 4 A-M Sh.P.K. dhe i përbërë nga GPG Company Sh.P.K., me seli në Lushnjë dhe Premium Beton Sh.P.K. nga Prishtina.

Oferta e “4 A-M”, një kompanie të regjistruar në emër të Ardit Metaliajt, por që sipas mediave të Shqipërisë ka pronar të vërtetë oligarkun Bashkim Ulaj, peshon 7,999,999.00 euro. Bashkim Ulaj klasifikohet si një nga 20 njerëzit më të pasur në Shqipëri.

Llotin e dytë e ka përfituar një bashkësi e operatorëve ekonomikë nga Kosova e Turqia. Ky konzorcium udhëhiqet nga PRICOM Sh.P.K., me seli në Prishtinë, kompania turke Metag Insaat Ticaret A.S dhe Jaha Solar Sh.P.K..

Ky llot, më i shtrenjti mes tri kontratave, vlen 15,605,675.81 euro.

Kompania udhëheqëse e konzorciumit, PRICOM Sh.P.K. është në pronësi të Nderim Rexhës, një afaristi nga Prishtina, tregojnë të dhënat pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), raporton Paparaci.

Ndërkaq, pjesën e tretë të kontratës e ka fituar një konzorcium i përbërë në tërësi nga kompani vendore. Kjo bashkësi udhëhiqet nga kompania Euroholding Sh.P.K. me bazë në Prishtinë. Hise në këtë tender, pikërisht në llotin e tretë, ka marrë edhe një emër i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje: Halil Jahaj.

Halil Jahaj, që njihet si “Daja i Vetëvendosjes”, është pronar i kompanisë ALFA.i, e cila është njëra nga gjashtë kompanitë të cilave u janë zotuar 8,346,804.38 euro.

Konzorciumi fitues i llotit të tretë kompletohet nga kompanitë: EL-BAU Sh.P.K., Agim Morina B.I. dhe Adnan Bislimi B.I..

Kush është “Daja i Vetëvendosjes”?

Vite më parë, Halil Jahaj është quajtur “Daja i Vetëvendosjes” nga aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Pajtim Demaj.

Epiteti i ishte dhënë në një mbishkrim mbi një fotografi të publikuar nga Demaj, në të cilën shfaqeshin pranë njëri-tjetrit “daja” dhe nipi i tij, Florent Ramqaj, ish-këshilltari i ministrit Liburn Aliu.

Fotografia ishte realizuar pas një loje basketbolli gjatë fushatës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Se “daja” është i afërt me Vetëvendosjen, tregon edhe një fakt tjetër. Ai ka qenë financues i Vetëvendosjes në vitin 2021, tregojnë të dhënat e pasqyrës financiare të Lëvizjes Vetëvendosje të publikuara më 2022.

Dajë e nip, Jahaj e Ramqaj, ishin përmendur në një aferë korruptive të publikuar nga gazeta Nacionale dy vite më parë.

Nacionale ka raportuar për përfshirjen e një kompanie tjetër në pronësi të familjes së Halil Jahajt në një aferë me një kontratë publike të Ministrisë së Infrastrukturës, në të cilën asokohe nipi i tij Florent Ramqaj punonte si këshilltar në kabinetin e ministrit Aliu.

Kompania “Infratek”, e përfshirë në këtë aferë, është pronë e Florije Jahajt, një familjareje të Halil Jahajt.

Sipas incizimit të publikuar nga Nacionale, një përfaqësues i kompanisë “Infratek” kërkonte ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi privat për dorëzimin e një raporti në Ministrinë e Infrastrukturës për punët e kryera rreth punimeve të kryera në rrugën Gjakovë-Dollc.

Kompania e Jahajt kishte për detyrë që të shkruante raporte për punët e kryera nga kompanitë e caktuara për punimet në rrugën Gjakovë-Dollc. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parasheh ligji, përfaqësuesi i kompanisë ‘Infratek’ dëgjohej duke keqpërdorur detyrën zyrtare për të marrë përfitime financiare.

Për këtë rast, në qershor të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit kishte njoftuar nisjen e hetimeve për rastin e dyshuar korruptiv. Prokuroria nuk ka njoftuar ende rezultatin eventual të procedurës hetimore për këtë rast.

Gati dy vite pas publikimit të kësaj afere, Florent Ramqaj ka ndërruar anë. Nuk është më zyrtarisht pjesë e pushtetit. Ka kaluar në krahun e dajës.

Ish-këshilltari i ministrit Aliu dyshohet se është rikthyer të punojë si drejtor i Administratës dhe Financave në kompaninë ALFA.i, në pronësi të dajës së tij. Bazuar në profilin e Ramqajt në rrjetin social LinkedIn, ai është larguar para nëntë muajsh nga kabineti i ministrit Aliu dhe në dhjetor të vitit të kaluar, është rikthyer të punojë në kompaninë e dajës së tij.

Profili i Florent Ramqajt në LinkedIn/ Burimi: LinkedIn

Rruga e gjatë 50 kilometra

Rruga Prizren-Tetovë ishte premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në fushatën zgjedhore.

Projekti u risoll në qendër të vëmendjes në gusht të vitit të kaluar, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu gatishmëri për ndërtimin e saj.

Për këtë aks rrugor, qeveritë e dy vendeve ishin marrë vesh në një mbledhje të përbashkët në vitin 2021.

“Rruga Prizren-Tetovë që nëpër Prevallë e Glloboçicë është e gjatë 113 kilometra dhe i merr më shumë se dy orë e gjysmë udhëtim, do të jetë më e shkurtër se 50 kilometra dhe do të përshkohet për dukshëm më pak se një orë”, tha Kurti gjatë një vizite në Prizren, më 13 gusht.

Për këtë rrugë, ai foli edhe gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, që bëri po atë muaj.

Studimin e fizibilitetit apo të vlerësimit për rrugën Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) e ka kryer më 2023.

Rruga do të jetë rreth 50 kilometra e gjatë dhe do të përfshijë një tunel prej 6.4 kilometrash. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci