Të fundit

Avokati i Popullit i shqetësuar me akuzat për ngacmime seksuale në UP

Institucioni i Avokatit të Popullit është shprehur jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me deklarimet e fundit për ngacmimet seksuale në Universitetin Publik të Prishtinës.

Në një reagim publik, IAP thotë se shqetësime të tilla janë shprehur edhe më herët nga studentët në takime e në aktivitete promovimi të të drejtave të njeriut me Institucionin e Avokatit të Popullit.

“Ngacmimet seksuale nuk duhet të tolerohen, kërkohet reagim institucional, kërkohet po ashtu debat i hapur publik për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, sidomos të vajzave e të grave që rastet e tilla t’i raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Kjo çështje kërkon masa efikase në reagim për të rritur besimin në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, me qëllim që kjo dukuri në asnjë rast të mos mbetet pa u ndëshkuar”, thuhet në këtë reagim.

27 studente të Fakultetit të Mjekësisë së UP-së kanë denoncuar profesorin e matematikës në UP, Xhevat Krasniqin, për ngacmim seksual.

Këshilli i Etikës i UP-së, pas intervistimit të profesorit dhe marrjes në pyetje të studenteve akuzuese, i ka rekomanduar Rektoratit të UP-së që ta pezullojë nga puna të njëjtin.

E Rektorati e aprovoi këtë rekomandim, duke e pezulluar profesorin Xhevat Krasniqi.

Avokati i Popullit thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh se secili person e ka të drejtën e respektimit të integritetit fizik të tij/saj, si një prej të drejtave më të rëndësishme personale të njeriut, e cila ngërthen në vete detyrimet pozitive për shtetin për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme për ta mbrojtur pacenueshmërinë e tij/saj.

“Është detyrë jona të ndërhyjmë dhe t’i mbrojmë viktimat e ngacmimit seksual duke u ofruar mbështetje dhe duke i njoftuar autoritetet përkatëse kompetente për këto sjellje të papërshtatshme, të cilat ushtrohet nga personat e caktuar me qëllim të përfitimit seksual, të cilët krijojnë ndjesinë e të qenët i pafuqishëm përballë tij/saj”, ka thënë ndër të tjera IAP.

Në fund, Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmerren të gjitha masat e përshtatshme për parandalimin, identifikimin, raportimin dhe trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë efektive dhe me urgjencë.

Prokuroria ka njoftuar se ka hapur rast për veprën penale të ngacmimit seksual ndaj profesorit Krasniqi.

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci