Të fundit

Tenderi afër 1 milionë €: Komuna e Prizrenit e rekomandon për kontratë ‘Caritasin’ me çmim trefish më të lartë

“Caritas Kosova” është rekomanduar për një kontratë të parashikuar deri në 900 mijë euro të Komunës së Prizrenit, në një vendim të dyshimtë të marrë të premten ku është eliminuar si e papërgjegjshme oferta trefish më e lirë e një konsorciumi privat.

Organizata jo-qeveritare e cila nga Kisha Katolike e Kosovës njihet si shoqatë humanitare, është rekomanduar për kontratën publike për “blerje të shërbimeve shëndetësore për përmbushjen e nevojave për staf shtesë të institucioneve të KPSH-së”.

Për këtë kontratë, Komuna e Prizrenit i ka zotuar 900 mijë euro.

Kriter për dhënie të kontratës ka qenë çmimi i lirë i peshuar, pra vlerësimi është bërë me poentim bazuar në një formulë që komuna paraprakisht e ka bërë publike. Pozicionet e ofertimit janë ndarë në mbi dhjetë pjesë.

“Caritas Kosova” ka ofertuar me çmim të peshuar në vlerë 10.32 euro. Ndërkaq, konsorciumi privat i kryesuar nga KosovaMed Healthcare Sh.p.k ka oferuar me çmim gati trefish më të lirë prej 4.88 euro.

Çmimet e dy ofertuesve për kontratën e blerjes së shërbimeve shëndetësore

Por, në një vendim të publikuar sot, Zyra e Prokurimit të Komunës së Prizrenit e ka shpallur të përgjegjshme vetëm ofertën e C.I.K (Caritas Kosova), duke e shpallur të papërgjegjshëm ofertën gati trefish më të lirë të KosovaMed Healthcare Sh.p.k.

Për eliminimin e ofertës së konsorciumit privat të kryesuar nga KosovaMed Healthcare, Komuna e Prizrenit është bazuar në dy arsye të padrejta, të cilat nuk ishin specifikuar në Dosjen e Tenderit. Zyra e Prokurimit të Komunës ka theksuar se partneri i KosovaMed Healthcare nuk i ka plotësuar dy kushte teknike, edhe pse konsorciumi, pra kryesuesi i konsorciumit, i plotëson të dy kushtet.

Arsyet e Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit për eliminimin e ofertës së KosovaMed Healthcare

“Me keqardhje ju njoftojmë se jeni eliminuar për shkak të arsyeve në vijim: [Tenderi i juaj] [Kërkesa  e juaj për pjesëmarrje] është administrativisht i  papërgjegjshëm”, thuhet në vendimin e Komunës së Prizrenit.

Arsyet e specifikuara nga Zyra e Prokurimit për eliminimin e ofertës së KosovaMed Healthcare

Komuna ka thënë se partnerit të KosovaMed Healthcare i mungonte dëshmia për ofrimin e shërbimeve sociale lëshuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Operatorit Ekonomik nDONA SH.P.K. Rr. Ndue Përlleshi K.P. . Lok Nr.l. Prishtinë, si anëtar i grupit – konzerciumit i mungon LICENSA për  për ofrimin e shërbimeve sociale lëshuar nga Ministria e Drejtësisë si në kërkesën 4. (Kusht profesional i kërkuar në pikën III.2.2 Përshtatshmëria profesionale)”, thuhet në vendimin e sotëm të Komunës.

Si arsye e dytë, është paraqitur mungesa e certifikatës ISO 9001 nga partneri i kryesuesit të konsorciumit.

Të dyja këto kritere janë plotësuar nga kryesuesi i konsorciumit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, Komuna e ka shpallur të papërgjegjshme ofertën e tyre.

Në një hulumtim të thjeshtë në Dosjen e Tenderit, në pikat ku prezantohen këto kritere nuk specifikohet se të dy dyja kompanitë brenda konsorciumit duhet t’i plotësojnë kriteret e njëjta. Theksohet se Operatori ekonomik, pra konsorciumi ofertues, duhet të posedojë licencën dhe certifikatën, bazuar në kriteret për dhënien e kontratës të paraqitura në Dosjen e Tenderit.

Në Dosjen e Tenderit nuk thuhet se të dy kompanitë brenda konsorciumit duhet t’i plotësojnë kushtet teknike për të cilat është eliminuar

Tenderi i Komunës së Prizrenit për blerjen e shërbimeve shëndetësore për nevojat e institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor, është hapur në prill të këtij viti.

Përmes kësaj kontrate, komuna synon që të mbulojë kapacitetet e shërbimit të kujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulator. Kontrata parasheh shërbime të ofruara nga mjekë të përgjithshëm, vizita mjekësore, ekzaminim të pacientëve etj.

Kujdesi Parësor Shëndetësor në Komunën e Prizrenit organizohet në disa qendra të mjekësisë familjare dhe njësi të kujdesit ambulator.

Paparaci, të mërkurën ka dërguar pyetje në adresë të Bashkim Zogajt, shefit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit lidhur me këtë kontratë, mirëpo nuk ka marrë ende përgjigje nga Komuna. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Projekt super i veçantë: Prezantohet Marigona Sun, lagjja më luksoze në Kosovë…

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci