Klubi i Biznesit ka nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën.
Shoqata, e cila avokon për thellimin e bashkëpunimit mes prodhuesve vendor me ata ndërkombëtar, ka thënë se përfaqësuesit e saj e kanë nisur vizitën nga varrezat nacionale të Arlingtonit.
“Vizitën tonë e filluam duke vendosur një buqetë lule në varrezat nacionale të Arlingtonit, aty ku prehen të rënët për liri të ushtrisë amerikane”, thuhet në njoftimin e Klubit të Biznesit.
“Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje sakrificën e ushtarëve amerikanë dhe të vendeve të tjera të NATO-s, si dhe luftën e drejtë të UÇK-së, që sollën lirinë për popullin tonë. Gjithmonë mirënjohës. Gjithmonë falënderues”, thuhet në njoftim.
Klubi i Biznesit ka shkruar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe vazhdon të jetë thelbësor për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.
“Mbështetja e tyre ka ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, duke forcuar institucionet tona dhe duke krijuar mundësi të reja për të gjithë qytetarët.
Mirënjohje për miqësinë dhe përkushtimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë.
Bashkëpunimi ynë është një gur themel i suksesit tonë të përbashkët”, përfundon njoftimi.
