Cili do të jetë drejtimi që do të marrë politika e jashtme dhe e sigurisë e Berlinit në një epokë post-Merkel? Vendet aleate, fqinje dhe ato konkurrente, janë pa dyshim të shqetësuar mbi orientimin që do të ketë qeveria e ardhshme e Gjermanisë.
Kancelarja Angela Merkel, qëpo qëndron tashmë në detyrë si udhëheqëse e një qeverie kujdestare, ka kryer që nga stina e verës disa ture lamtumire. Dikush mund ta dëgjojë atë duke i përplasur gishtat mbi tryezën e saj të punës. Por ndërkohë mund të kërkohet pak durim.
Socialdemokratët, fitues të zgjedhjeve të Bundestagut muajin e kaluar, kanë nisur këtë javëbisedimet “eksploruese” me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë liberalë. Një vendim nëse do të hapen apo jo negociatat për krijimin e një koalicioni mund të merret deri të premten.
Por socialdemokratët kanë pak alternativa në dispozicion. Gjermania nuk ka pasur një kancelar të SPD-së që prej vitit 2005. Dhe po ky vit ishte edhe hera e fundit që të Gjelbrit ishin në qeveri. FDP-ja ka qenë jashtë pushtetit gjatë gjithë kohës me përjashtim të 4 viteve që nga viti 1998.
Kristiandemokratët e Merkel – e vetmja alternativë e koalicionit – duket se po e nxjerrin veten jashtë garës. Udhëheqja e tyre është e zënë me formimin e një skuadre ndëshkimore në mesin e thirrjeve të zemëruara nga anëtarësia për të dhënë llogari për disfatën elektorale.
Çështjet më urgjente dhe më përçarëse në axhendën e negociatorëve janë të brendshme, ndonëse thuajse secila prej tyre ka dimensione të politikës së jashtme. Ato përfshijnë modernizimin e infrastrukturës fizike, administrative, arsimore dhe dixhitale të Gjermanisë, si dhe realizimin e një tranzicioni të drejtë dhe të gjelbër.
Secila do të kërkonte investime publike të financuara nga rritja e taksave apo borxhi publik – të cilat si SPD dhe të Gjelbrit janë gati t`i mendojnë, por FDP-ja i kundërshton me vendosmëri. Tashmë kanë ikur tepricat buxhetore të disa viteve më parë.
Në vend të kësaj, koalicioni tre-palësh do të përballet për herë të parë që prej vitit 1950 me rritjen e çmimeve të konsumit, mungesën e strehimit të përballueshëm, ndërprerjen globale të furnizimit dhe një krize të rrezikshme energjitike evropiane.
Pandemia e Covid-19 po vazhdon, dhe efektet e saj afatgjata ekonomike dhe sociale, nuk janë shfaqur ende. Dhe ndërsa Alternativa për Gjermaninë e së djathtës ekstreme, i humbi vendet që kishte në parlament në mbarë vendin, ndërkohë ajo fitoi terren në dy nga landet lindore më të disavantazhuara në Gjermani.
Ashtu si në vendet e tjera perëndimore, këto tensione të brendshme ka të ngjarë të kenë një ndikim frenues dhe kufizues në politikën e jashtme dhe të sigurisë së qeverisë së ardhshme të vendit. Problemi është se as Gjermania dhe as aleatët e saj nuk kanë luksin ta lejojnë këtë gjë.
Nga janari i vitit që vjen, do të jetë radha e Gjermanisë që të drejtojë klubin G7-ës, pra të demokracive kryesore industriale, ndërsa bota po përballet me një rend ndërkombëtar të prishur. Presidenti francez, Emmanuel Macron do të kërkojë rizgjedhjen e tij në prill 2022, në një garë që ka të ngjarë të ketë dy kandidatë këmbëngulës të së djathtës ekstreme.
Humbja e tij do ta linte Berlinin pa partnerin e tij më të rëndësishëm në Evropë. Diku tjetër, ka akoma më shumë probleme. Qeveria e Polonisë po e sfidon hapur sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian. Britania e Madhe po përballet me Brukselin për protokollin e Irlandës së Veriut, ndërsa Sekretarja e Jashtme Liz Truss sapo ka parashtruar një strategji diplomatike që anashkaloi çdo përmendje të BE-së.
Shtetet e Bashkuara po rishikojnë strategjitë e tyre në aspektin e fuqisë globale dhe armëve bërthamore, proces që mund të ketë një ndikim të madh në mbrojtjen dhe parandalimin e sulmeve të huaja ndaj aleancën perëndimore. Por administrata Biden është nën presionin e të djathtës ekstreme.
Në rast se ajo humbet njërën apo të dyja shumicat në Senat dhe Kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit të ardhshëm, politika e saj e jashtme mund të bëhet edhe më e polarizuar. Asnjë nga këto trazira nuk i shpëton syrit të liderëve autoritarëve në Moskë dhe Pekin. Kremlini tallet me evropianët për shkak të varësisë së këtyre të fundit nga energjia ruse. Kina po shton veprimtarinë kërcënuese ndaj Ishullit të Tajvanit. E gjitha kjo po dërgon valë tronditjeje në ekonominë globale, nga stabiliteti i së cilës varet Gjermania si një “kampione e eksportit” ashtu si disa vende të tjera.
A do të mundet koalicioni “semafor” i SPD -së, të Gjelbërve dhe FDP-së t’i përballojë këto sfida? Ka disa arsye për të pasur shpresë që po. Olaf Scholz, ministër i Financave dhe me shumë gjasa kancelar i ardhshëm i Gjermanisë, luajti një rol kryesor në miratimin programit të rimëkëmbjes ekonomike evropiane prej 750 miliardë eurosh në pranverë, si dhe në arritjen e marrëveshjes së fundit ndërkombëtare mbi një normë minimale të taksimit të korporatave.
Zërat kryesorë në të tria partitë favorizojnë një përgjigje më të ashpër ndaj Kinës, të bazuar në vlerat perëndimore. Por a e kuptojnë negociatorët se Gjermania duhet të jetë garantja qëndrore e sigurisë në Evropë, dhe që do të duhet të investojë tek forcat e saj të armatosura në përputhje me rrethanat e reja globale?
A e kuptojnë ata se sa e madhe është tani përgjegjësia e Evropës në raport me administratën Biden, që pretendon që kontinenti i vjetër të ndihmojë më shumë duke pasur një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e vet? Platformat e fushatës së tyre elektorale ofruan pak siguri se do të bënin këtë. Ndërkohë një gjë është e sigurt: bota nuk do të presë deri sa të krijohet qeveria e ardhshme në Gjermani./Financial Times.