Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se si drejtues të lartë institucionesh dyshohet se janë implikuar në një raport shpagimi favoresh për qëllime të punësimeve të të preferuarve dhe familjarëve të tyre.
Diçka për diçka. Kështu përkufizohen në terma të thjeshtë marrëdhëniet e ndërtuara për shkëmbimin e favoreve ndërmjet dy palëve.
Zakonisht këto marrëdhënie të shlyerjes së favoreve hasen në klane rrugësh.
Por, kjo praktikë dyshohet se ka zënë vend në institucionet e rëndësishme publike në vend.
Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se si drejtues të lartë institucionesh dyshohet se janë implikuar në një raport të tillë shpagimi favoresh për qëllime të punësimeve të të preferuarve dhe familjarëve të tyre.
Shtatë muaj pasi bashkëshorti i saj Naim Gashi luajti rol kyç në përzgjedhjen e drejtoreshës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), bashkëshortja e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) është punësuar në agjenci.
Lumturie Gashi është punësuar në agjenci pasi bashkëshorti i saj Naim Gashi dyshohet se i ka kryer një favor drejtuesve të këtij institucioni.
Bëhet fjalë për dy procese të ndara të punësimit në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), një organi të pavarur shtetëror të mandatuar për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gashi, i emëruar nga Komisionerja Krenare Sogojeva-Dërmaku në krye të një komisioni pranues për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të AIP-ut, ka arritur t’i jap epilog një procesi që ishte përsëritur katër herë.
Paparaci, përmes qasjes në dokumente publike, e ka siguruar vendimin e Komisioneres së AIP-it për emërimin e Naim Gashit në krye të komisionit.
Vendimi për emërimin e Gashit dhe anëtarëve të tjerë të komisionit, dyshohet se është i kundërligjshëm. Është fuqizuar pa e anuluar komisionin paraprak, ad-hoc, për të njëjtin proces.

Paparaci e ka pyetur AIP-in për procesin dhe ka kërkuar konkretisht sqarime nëse është anuluar vendimi për komisionin paraprak para se të emërohej komisioni i ri – me Naim Gashin në krye të tij – mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje nga agjencia.
Para emërimit të Naim Gashit në krye të “komisionit të ri”, procesi i pëzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të AIP-it kishte dështuar katër herë me radhë. Asnjë aplikim nuk po rezultonte i suksesshëm.
Por, në shtator të 2023-s, komisioni i kryesuar nga Gashi i ka dhënë epilog final konkursit të stër-zgjatur. E ka përzgjedhur drejtoreshë Lumnije Demin, një ish-zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion e cila sipas një burimi të Paparacit ishte e preferuara e komisioneres Sogojeva-Dërmaku për këtë pozitë.

Njoftimi për përzgjedhjen e Demit, i publikuar në uebfaqen e AIP-it më 30 mars të vitit 2023, tregon se ajo ishte vlerësuar kandidate e suksesshme kundrejt aplikantit tjetër në listën e ngushtë, Besim Kamberajt.
Një burim i afërt me procesin i ka thënë Paparacit se përzgjedhja e Demit drejtoreshë është shpaguar me punësimin e bashkëshortes së Naim Gashit në agjenci disa muaj më vonë gjatë atij viti.
“Komisioni i ri e ka përzgjedhur Demin si kandidaten më të suksesshme për pozitën e drejtoreshës. Më pas Sogojeva ka hapur konkurs për zyrtare të lartë për inspektim. Aty konkurrojnë shumë vetë. Në mesin e dhjetëra aplikimeve, me maksimumin e pikëve, vlerësohet zonja Gashi, gruaja e Naim Gashit (kryetarit të komisionit për përzgjedhjen e Demit në pozitën e lartcekur)”, ka thënë burimi.
“Pra Naim Gashi ia plotëson kërkesën Sogojevës që shoqja e saj të bëhet Drejtoreshë e Përgjithshme në AIP me kushtin që gruaja e Gashit pranohet në AIP me vendim të Sogojevës”, ka pohuar i njëjti burim.
Dhe, favori është shlyer me favor.
Lumturije Gashi, bashkëshortja e drejtorit të AKA-s, Naim Gashi, rezulton zyrtare në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Ajo rezulton të jetë në marrëdhënie pune në pozitën Zyrtare e Lartë për Inspektim në AIP nga janari i vitit 2024, bazuar në regjistrin e saj të deklarimit të pasurisë.

Në këtë regjistër të vitit 2024, Lumturie Gashi ka deklaruar pagë mujore në vlerë 583.27 euro.

Shpagimi i favorit për Naim Gashin nisi në shtator të vitit 2023, vetëm gjashtë muaj pas përzgjedhjes së drejtoreshës Lumnije Demi.
Më 11 shtator, AIP-i shpalli konkursin për Zyrtare të Lartë për Inspektim, pozitë në të cilën sot në uebfaqen e agjencisë figuron si e punësuar Lumturie Gashi. Megjithatë, njoftimi për emërimin e saj në këtë pozitë nuk gjendet në uebfaqen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Paparaci ka kërkuar nga AIP informata rreth këtij procesi, por agjencia ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e mediumit.
As Naim Gashi, drejtori i AKA-s dhe kryesuesi i komisionit që e përzgjodhi drejtoreshën, numrin dy të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara me shkrim nga Paparaci lidhur me “rehatimin” e bashkëshortes së tij në agjenci. /Paparaci.com
