Të fundit

Sadri Ramabaja punësohet në universitet “pa kunkurru” fare

Punësimi i Ramabajës në universitetin publik, rektor i të cilit institucion vitin e kaluar u emërua një tjetër anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dërmaku, se është bërë pa “kunkurru” fare.

Vehbi Kajtazi

Sadri Ramabaja tashmë njëmend është bërë profesor. Hiç më pak se në Universitetin Kadri Zeka në Gjilan.

Bile pa “kunkurru”.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë i ka filluar ligjëratat para studentëve të Fakultetit Juridik të këtij universiteti publik, raporton Paparaci.

Punësimi i Ramabajës në universitetin publik, rektor i të cilit institucion vitin e kaluar u emërua një tjetër anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dërmaku, dyshohet se është bërë pa konkurruar fare.

Dëshmitë publike dhe dokumente të tjera të cilat i ka siguruar Paparaci, tregojnë se opinionisti i studiove televizive është angazhuar si ligjërues i dy lëndëve “Hyrje në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe “Sistemi politik i Kosovës”.

Emri i Ramabajës figuron publikisht si ligjërues në orarin e ligjëratave dhe ushtrimeve, i cili është publik në uebfaqen e universitetit. Por, publike nuk ka qenë mënyra e angazhimit të anëtarit të LVV-së si ligjërues.

Ramabaja, që ia kishte mësyer konkursit për angazhim të stafit akademik të shpallur nga universiteti në shtator të këtij viti, e kishte tërhequr aplikacionin e tij për angazhim si bashkëpunëtor, asistent për lëndët nga fusha histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Kjo lëvizje e tij kishte ngjarë diku në mes të procesit konkurrues.

Një raport i komisionit për zgjedhjen e stafit akademik për angazhim në semestrin dimëror 2024/2025, i publikuar më 7 tetor të këtij viti, zbulon se Ramabaja ishte tërhequr nga intervista.

“Kandidati tërhiqet nga intervista”, thuhet në raportin e komisionit recenzues.

Raporti përmban rekomandimet për angazhimin e stafit akademik. Emri i Ramabajës nuk është i propozuar nga komisionit. Për këto lëndë, komisioni e ka propozuar për angazhim si staf akademik Viona Rashicën, një doktor shkence.

Punësimi i Ramabajës dyshohet se ka ndodhur pa procedura konkurruese, por bazuar në një rregullore të dyshimtë të cilën e ka fuqizuar Universiteti Publik “Kadri Zeka”. Rregullorja nuk është e publikuar në uebfaqen e universitetit.

Punësimi i Ramabajës dyshohet se ka ndodhur pa procedura konkurruese
Punësimi i Ramabajës dyshohet se ka ndodhur pa procedura konkurruese

Paparaci, të mërkurën ka kërkuar sqarime nga Universiteti Publik i Gjilanit për procedurën e angazhimit të Ramabajës, por institucioni nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet me shkrim të mediumit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Ndërkaq, Sadri Ramabaja ka thënë se “nuk ka nevojë fare” të deklarohet për procesin e angazhimit të tij në universitetin publik.

“Nuk ka nevojë fare. Falemnderit për kujdesin që keni”, ka thënë Ramabaja në një përgjigje të shkurtër me shkrim për Paparacin të mërkurën.

Universiteti i Gjilanit udhëhiqet nga Artan Dërmaku, një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet të cilës i përket edhe Sadri Ramabaja.

Dërmaku, mban pozitën e rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” nga korriku i vitit 2023. Ai ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2018, ku ishte prezantuar nga kryetari Albin Kurti si “shoku i tij i studimeve”. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

PARADOKS: Xhevahire Izmaku, jeta mes luftërash, gazetaria në kohë - politika

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci