Fadil Demaku, ish-luftëtar i UÇK-së e tani kandidat për deputet, gjatë kohës së luftës kishte pesë vëllezër bashkëluftëtarë, teksa një vëlla e një motër i kanë rënë dëshmorë.
Demaku kujton se pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, ishte shtuar ndjeshëm kërkesa për t’u pajisur me armatim.
“Pas rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, në Drenicë ndodhi një mobilizim i jashtëzakonshëm i njerëzve dhe më kujtohet shumë mirë, hynin te shtëpia jonë se ajo ishte e identifikume si shtab, plot njerëz hynin dhe me vullnet të jashtëzakonshëm kërkonin armë. Na në fakt edhe s’kishim armë për me iu dhanë njerëzve”.
“Kanë shku grupi dy herë për një muj në Shqipëri, kanë pru armatim me krah. Edhe njerëzit nuk e dinin që na nuk kemi armatim për ta, edhe kërkonin pak edhe në mënyrë agresive pse s’po na jepni armë. Mendonin që ka naj farë mosbesimi ndaj tyre. Po tani më, është e qartë, njerëzit filluan të shkonin të merrnin armë dhe lufta filloi të zgjerohet”, tha ai në një intervistë për emisionin Paradoks me Vehbi Kajtazin, prodhim i Gazetës Paparaci.
Demaku tregon se gjatë luftimeve në Grykën e Llapushnikut, të gjithë vëllëzërit e axhallarit ishin nëpër pozicione të ndryshme, duke luftuar me armikun.
Ai deklaron se “deshte s’deshte gjatë gjithë kohës të shkon mendja se ku janë”.
”Ne ishim të përfshirë si familje, çdo njeri e kupton se ti kur të hysh në një sfidë aq të madhe, është e pamundur të mos mendosh ku janë. Më kujtohet gjatë luftimeve në Grykën e Llapushnikut, kemi qenë të pestit, ne të katërtit dhe vëllau që është dëshmor. Ka qenë edhe axha e djali i axhës. Të gjithë kanë qenë me armë edhe kanë qenë nëpër pozicione të ndryshme në Grykën e Llapushnikut…Ti deshte s’deshte, gjatë tërë kohës të shkon mendja ku janë. Kur të vendosësh ta merr armën, gjithçka është e pritshme – mundesh edhe të vritesh a plagosesh, janë gjëra që priten”, ka thënë Demaku.