Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim i ka ndërruar brenda pak më shumë se një muaji dy vendime të saj për akreditimin e disa programeve studimore në dy universitete.
Rrëzimi i vendimeve ka ndodhur pas ndërhyrjes së politikës.
KShC-ja fillimisht vendosi kundër riakreditimeve të programeve nga fusha e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe në Kolegjin “AAB”, në një mbledhje të 3 korrikut të vitit 2024.
Arsyeja e vendimeve kundër akreditimit të shtatë programeve nga fusha e arteve në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe dy programeve të tjera në Kolegjin privat “AAB”, bazohej në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL).
Kërkesa e dy universiteteve konsiderohej në shpërputhje me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e IAL-ve, aktit nënligjor më të rëndësishëm në fushën e akreditimit të universiteteve në vend.
“Refuzohet kërkesa e Universitetit të Prishtinës – Fakultetit të Arteve me nr. prot. 1502/23 e datës 27.10.2023 dhe kërkesa për rishqyrtim e datës për ri/akreditimin e programeve të studimit”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga AKA-ja më 3 korrik.
I njëjti vendim, nga ajo mbledhje, është lëshuar edhe për kërkesën e Kolegjit “AAB” për akreditimin e dy programeve studimore nga fusha e arteve.
Sipas Këshillit Shtetëror të Cilësisë, bartësit e programeve për të cilat kërkohej akreditimi, nuk i plotësojnë kërkesat e parapara me Ligj dhe Udhëzim. Nuk kanë tituj PhD në fushën e programit.
“Sipas nenit 26, pika 5.3.4 e Udhëzimit Administrativ për Akreditim, Institucionet e Arsimit të Lartë: Për programet e studimit të cilat shpijnë deri tek marrja e një diplome shkencore Bachelor dhe Master, kërkesat për stafin akademik janë për çdo grup të studentëve dhe për çdo 60 ECTS kredi të programit të studimit, institucioni duhet të ketë të paktën një staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Por, gjithçka ka ndërruar brenda pak më shumë se një muaji.
Në proces ka ndërhyrë Ministria e Arsimit (MAShTI), e udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci, përmes së cilës është krijuar “bazë ligjore” për riakreditimin për një periudhë një vjeçare të programeve studimore, sipas kërkesave të dy universiteteve.
Më 25 korrik, Ministria e Arsimit ka miratuar një udhëzim administrativ enkas për të krijuar mundësinë për riakreditimin e programeve të fushës së arteve në UP dhe AAB.
Ministrja Arbërie Nagavci, në një shkrim në Facebook më 15 gusht, tha se udhëzimi i nënshkruar prej saj përmban “masa afirmative” për programet e komuniteteve joshumicë dhe programet e arteve.
Pas ndërhyrjes së ministres, KShC-ja i ka rrëzuar dy vendimet e saj. Nga kundër rikadreditimit të programeve studimore në UP dhe AAB, nxori dy vendime “pro” në një mbledhje të mbajtur më 12 gusht.
Ky udhëzim parashihte mundesinë e ekuivalentimit të titujve dhe të thirrjeve akademike për fushat specifike të Arteve përkatësisht Dizajnit dhe me këtë rast KSHC mbi bazën e këtij udhëzimi nxjerr vendim të ri për vazhdimin e akreditimit të këtyre institucioneve edhe për një periudhë një vjeçare të programeve studimore, sipas kërkesave të dy instiucioneve të arsimit të lartë, në këtë rast Fakulteti i Arteve në UP dhe Kolegji AAB.
Në mbledhjen e 12 gushtit, KSHC ka vendosur për zgjatjen e riakreditimit të shtatë programeve të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe dy programeve të fushës së arteve në Kolegjin “AAB”.
“Zgjatet periudha e riakreditimit të programeve të arteve të Kolegjit AAB, kampusi kryesor për periudhën një vjeçare 01.10.2024 deri 30.09.2025”, thuhet në vendimin e KShC-së për kërkesën e Kolegjit “AAB”.
Një vendim i njëjtë është nënshkruar edhe për shtatë programet studimore të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Në arsyetimin e dy vendimeve thuhet se “për këtë periudhë të riakreditimit vlejnë kriteret dhe kuotat e njëjta sikurse në vendimin e fundit të KSHC-së datë 12.08.2021, me të cilin ishin riakredituar programet si në par.I të këtij vendimi”.
“KShC fillimisht kishte vendosur që të refuzohen programet e fushës së Arteve për shkak të mungesës së bazës ligjore, përkatësisht zbrazëtisë ligjore për këtë çështje – kalimi i afatit të Udhëzimit Administrativ (MASHT) nr.02/2019 me datë 31.01.2019”, thuhet tutje në arsyetim.
“Mirëpo, më pas KShC pas pranimit të Udhëzimit të ri administrativ 01B-03/2024 për vlerësimin e përshtatshmërisë së bartësve të programeve studimore si dhe programeve nga radhët e komuniteteve joshumicë në procesin e akreditimit dhe riakreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, nënshkruar me datë 25.07.2024 i cili adreson edhe çështjen e bartësve të programeve të arteve, ka marrë në rishqyrtim kërkesën për programet e bashkëngjitura në tabelë me bartësit përkatës dhe pas rishqyrtimit ka ardhur në përfundim të riakreditoj me kusht programet e lartpërmendura për një periudhë një vjeçare”, përfundon arsyetimi.
AKA-ja ka bërë të ditur se dy universitete publike dhe dy kolegje private kanë përfituar nga udhëzimi, i cili, sipas tyre, bazohet “në praktikat më të mira evropiane për sigurimin e jashtëm të cilësisë”.
“Në mbledhjen 127 të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të bajtur më 12.08.2024, KSHC ka konstatuar se është e pamundur të organizohet vlerësimi për 16 programe të 5 IAL-ve të ndryshme (Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Pejës, Kolegji AAB, Kolegji UBT dhe Kolegji UBT kampusi ne Pejë) të cilat kishin applikuar për ri/akreditim”, ka thënë AKA në një pëgjigje me shkrim për Paparacin.
“Duke u bazuar në praktikat më të mira evropiane për sigurimin e jashtëm të cilësisë, KSHC vendosi që të zgjasë për 1 vit akreditimin e programeve të cilat kishin aplikuar për riakreditim, kurse programet që kishin aplikuar për akreditim për herë të parë nuk u trajtuan”, tha AKA-ja.
“Pra, programeve në fushën e arteve të cilave u është vazhduar akreditimi për 1 vit janë si më poshtë: Universiteti i Prishtinës 7 programe, Universiteti i Pejës 1 program, Kolegji UBT 1 program, dhe Kolegji AAB 2 programe”, tha AKA-ja.
Agjencia tha se pesë programe tjera të studimit në katër kampuse të tjera të institucioneve të arsimit të lartë nuk janë akredituar.
Kriteret e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit të cilat i nxjerrë Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), e të cilat burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR.
Për ndërhyrje të politikës, në vitin 2018, Agjencisë Kosovare për Akreditim i ishte degraduar statusi brenda Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim. Ndërsa më 2 tetor të vitit 2019, AKA-së nuk iu vazhdua anëtarësia në ENQA.
Në tetor të vitit 2022, AKA u anëtarësua sërish në ENQA, por kësaj radhe si anëtar “afiliate” i asociacionit. /Paparaci.com