Miqësia e vjetër nga viti 2001, vazhdimi i shoqërisë me po të njëjtit, e ndarja e vazhdueshme e tenderëve për “dostat” – janë prova të mjaftueshme për Prokurorinë Speciale që të fillojë hetimet e të ndërmarrë hapa të tjerë ligjor ndaj zëvendësministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Për dallim nga shumica absolute, pushteti nuk e ka bërë më ‘mendjemadh’ Hysen Durmishin. Madje, të njëjtin, pushteti e ka bërë më “bujar”.
Si një ish i punësuar në kompaninë N.P.SH.”Bageri”, zëvendësministri Durmishi ka vendosur që t’i shpërblej ish-punëdhënësit e tij.
Për vetëm brenda dy ditëve, Ministria e Infrastrukturës ka ndarë tenderë milionësh për ish-punëdhënësit e zëvendësministrit Durmishi, Bujar e Sokol Shabani.
Më 27 dhjetor të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës shpërbleu me 4.2 milionë euro Bujar Shabanin, pronarin e kompanisë “Bageri”.
Shabani u shpall fitues i tenderit M25.2 për ndërtimin e segmentit Kishnicë-Bresalc në kuadër të autostradës së Gjilanit.
Kompania e drejtuar nga ish-shefi i zëvendësministrit Durmishi u shpall fitues në koncersium me kompaninë EL BAU SH.P.K, ani pse çmimi ishte për qindra mijëra euro më i shtrenjtë si i kompanive të tjera të cilat kishin konkuruar në këtë tender.
Ky shpërblim nuk i është dukur i mjaftueshëm zëvendësministrit Durmishi.
Vetëm një ditë përpara se tenderi prej më shumë se 4 milionësh iu nda Bujar Shabanit, Ministria e Infrastrukturës kishte shpërblyer vëllain e tij, Sokolin.
Më 26 dhjetor të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e kishte shpallur fituese të tenderit 2.9 milionësh kompaninë e Sokol Shabanit, vëllait të Bujar Shabanit.
Kompania ‘Dio Bes SH.P.K’ e drejtuar nga Sokol Shabani, ishte shpallur fituese për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale Shipashnicë-Desivjocë-Tërstenë.
‘Dio Bes SH.P.K’ tenderin e kishte fituar në koncersium me kompaninë ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’.
Këta nuk janë tenderët e vetëm që Durmishi ka ndarë për miqtë e tij të vjetër.
Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, “Bageri” është shpërblyer me disa tenderë. Njëra ndër to edhe ajo e autostradës milionëshe që lidhë Prishtinën me Podujevën.
Zëvendësministri Hysen Durmishi ishte akuzuar për ndarjen e tenderëve për miqtë e tij.
Vetë Durmishi kishte pranuar se i ka ‘shok’ pronarët e kompanisë “Bageri”, por kishte mohuar se kishte punuar për këtë kompani.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punuar e nuk kam pasur ndonjë angazhim. Pasi që kam dale prej Komunës së Prishtinës, i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit të kompanisë kështu si shok, por asnjëherë nuk kam punuar në kompaninë e tij. Thjeshtë e kam këshillua për shkak të përvojës që e kam në menaxhim”, kishte thënë Durmishi për Kallxo në prill të vitit 2022.
Posti i zëvendësministrit nuk e ka ndalë Durmishin që të shoqërohet me pronarët e kompanive që merren me ndërtimin e rrugëve. Madje, lidhjet e tyre janë bërë edhe më të ngushta që prej emërimit të tij në këtë pozitë.
Siç shihet edhe në këtë fotografi të siguruar nga Paparaci, zëvendësministri Durmishi vazhdon të shoqërohet me pjesëtarët e familjes Shabani.