Kandidatja për deputete nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, e ftuar në emisionin “Paradoks”, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit.
Izmaku tha se, e bën më së shumti konfuze sjellja e Kurtit ndaj sindikatave, shoqërisë civile dhe mediave, kur këto të fundit i besuan dhe e ndihmuan kryeministrin Kurti.
“Shumë dobët, qeverisje pa shpirtin e qytetarit brenda. Sikur me dashtë ta bëjë krejt Kosovën armik përveç votuesve të vet, që besoj dikur edhe ata fillun me u ndje si të përjashtuar”, tha Izmaku.
Përgjatë katër viteve të qeverisjes Kurti, anëtarja e Nismës Socialdemokrate vuri në theks raportet me vendet tjera në veçanti njohjet e reja që Kosova mund t’i kishte.
“Kemi humbur mundësi njohje shumë të mëdhaja. Katër vite nuk mund ta imagjinoj përse me qëndru një ministre në krye të një ministrie pa asnjë njohje katër vite dhe me dal me prezantu me krenari profilin e saj”, shtoi ajo.
Sipas saj, edhe po të fitojë një mandat tjetër Qeveria Kurti, gjërat nuk do të ndryshojnë përderisa janë figurat e njëjta.
