Të fundit

Editoriali i The Guardian: Qeveria e re të jetë pragmatike, e jo si nacionalizmi i Kurtit

Shtatëmbëdhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, e ardhmja e saj mbetet në hije dhe e komprometuar nga marrëdhëniet me Beogradin. Më shumë se një dekadë bisedimesh për normalizim deri tani kanë qenë një rrugë pa krye, e penguar kryesisht nga refuzimi i Serbisë për të njohur të drejtën e ish-territorit të saj për atributet e shtetësisë. Në katër komunat veriore me shumicë serbe të vendit, ky ngërç herë pas here ka marrë kthesë të dhunshme kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tentuar të zbatojë sovranitetin, duke hasur në rezistencën e rebelëve të mbështetur nga Beogradi.

Ka shenja të pakta shprese se rezultati i zgjedhjeve të fundit të Kosovës të dielën, në të cilat partia në pushtet e Kurtit doli e para, por humbi shumicën, mund të ofrojë një rrugëdalje nga ky ngërç. Veprimet e Kurtit për të demonstruar kontrollin e Prishtinës mbi veriun – si vendosja e kryetarëve shqiptarë pas bojkotit masiv të zgjedhjeve nga serbët etnikë – janë kritikuar ashpër si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga SHBA. Në prag të zgjedhjeve, Richard Grenell, i sapoemëruar si i dërguar special amerikan për misione të veçanta, deklaroi se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Prishtinës “nuk kanë qenë kurrë më të ulëta”.

Ndërkohë, BE-ja ka vendosur sanksione që deri tani i kanë kushtuar një prej shteteve më të varfra dhe më të vogla të Evropës rreth 150 milionë euro. Perspektiva e një qeverie të re koalicioni në Prishtinë hap mundësinë e një qasjeje më pak të ngurtë dhe më pragmatike. Të dyja partitë kryesore opozitare zhvilluan fushatë mbi nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët perëndimorë, dhe shqetësimi për izolimin e Kosovës në një moment gjeopolitik të rrezikshëm ishte një nga temat kryesore të zgjedhjeve. Nëse administrata e re e Kurtit mund të lëvizë përtej retorikës ndonjëherë të ashpër nacionaliste dhe të rikthejë Brukselin dhe Uashingtonin në anën e saj, kjo do të jetë në interes të Kosovës.

Qëllimi duhet të jetë zbatimi i vonuar i një marrëveshjeje normalizimi të vitit 2023, e cila teorikisht e detyronte presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të njihte shtetësinë e Kosovës, në këmbim të dhënies së fuqive gjysmë-autonome për serbët etnikë në veri. Por për të arritur atje, do të kërkohet që Vuçiq, i cili vazhdimisht ka ndezur tensionet etnike, të ndalojë së luajturi me ndjenjat nacionaliste dhe më në fund të nënshkruajë marrëveshjen.

Brukseli duhet t’i përgjigjet çdo hapi pajtues nga Prishtina me shpejtësi dhe bujari. Duhet dy palë për të krijuar një ngërç, por ndërsa një nga kombet më të vogla dhe më të cenueshme të Evropës është ndëshkuar me sanksione, fqinji i tij i madh, agresiv dhe armiqësor nuk është ndëshkuar, për arsye të realpolitikës rajonale. Duke pasur parasysh precedentët e qartë dhe të zymtë të Ukrainës, shqetësimet e Kurtit për agjendën përfundimtare të Beogradit në veriun e Kosovës janë plotësisht të kuptueshme. Këto shqetësime do të rriten edhe më shumë kur bie ndërmend mbështetja e mëparshme e Donald Trump për një plan që në një fazë përfshinte ndarjen e Kosovës.

BE-ja tani ka një shefe të re të punëve të jashtme, ish-kryeministren estoneze Kaja Kallas, dhe një të dërguar të ri special për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, diplomatin danez Peter Sørensen – një specialist i rajonit. E dërguara e ri e Britanisë për rajonin, Karen Pierce, ka qenë ambasadore në SHBA për pesë vjet. Kjo ofron një mundësi për një fillim të ri në raport me një vend që ka ndërtuar një demokraci funksionale në kushtet më sfiduese. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e drejtuar nga nacionalizmi i stilit “ose je me ne, ose kundër nesh” i Kurtit. Por Perëndimi duhet të bëjë më shumë sesa thjesht ta takojë në gjysmë të rrugës.

 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci