Të fundit

Baca Bajram – zemra që kërkoi të vërtetën pa e gjetur kurrë përgjigjen!

Shkruan: Kushtrim Gara

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë të çmuar, Bajram Qerkini – një zë i palodhshëm në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur.

Baca Bajram, siç e njihnim të gjithë me respekt, ishte shembull i përkushtimit, durimit dhe forcës shpirtërore.

Pavarësisht dhimbjes personale që e shoqëroi për 26 vite në pritje për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e djalit të tij të zhdukur, Reshatit, ai nuk u ndal kurrë së angazhuari për të gjithë ata që jetonin të njëjtën plagë. Është thellësisht prekëse që ai u nda nga kjo botë pa arritur të marrë lajmin dhe të mësojë vendndodhjen e të birit – një boshllëk që e shoqëroi deri në momentet e fundit. Një dhimbje e madhe për të cilën fliste rrallë, meqë ishte shndërruar në zërin e fuqishëm të të gjitha familjeve që jetojnë me dhimbjen dhe ankthin, në zërin e viktimave të heshtura.

E kujtojmë jo vetëm për përkushtimin e palodhur dhe human, por edhe për kujdesin e jashtëzakonshëm që tregonte ndaj të gjithëve. Ata që e njohën nga afër, siç pata nderin edhe unë personalisht, do t’i jenë gjithmonë mirënjohës për fjalët e mençura, mbështetjen e sinqertë dhe gatishmërinë për të ndihmuar.

Me humbjen e tij, nuk kemi humbur vetëm një bashkëpunëtor të jashtëzakonshëm, por një njeri që përfaqësonte zërin e mijëra familjeve që presin të vërtetën. Vepra dhe trashëgimia e tij do të mbeten frymëzim për të gjithë ne që patëm fatin ta njohim e të bashkëpunojmë me të.

Baca Bajram ishte duke u trajtuar në spital për më shumë se tre muaj për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. I jam thellësisht mirënjohës familjes Qerkini që më dhanë mundësinë ta vizitoj dhe ta takoj në ato ditë të vështira. E di që do të më kishte mbetur një brengë e thellë nëse nuk do ta kisha takuar, edhepse nuk e di nëse ishte veprimi më i duhur, meqë nuk ishim mësuar ta shihnim Bacën Bajram duke iu dorëzuar sfidave të jetës, sepse të gjithë që e kishim njohur , e njihnim dhe do të vazhdojmë ta kujtojmë e nderojmë kujtimin për të, si njeri që nuk dorëzohej – gjithmonë i fortë, i qëndrueshëm dhe me një zemër që rrihte për të tjerët.

Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Qerkini, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan. Le të shërbejë kujtimi i tij si udhërrëfyes për vazhdimin e përpjekjeve tona për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve me forcë.

Pusho në paqe Baca Bajram,

Zoti i Madhërishëm të shpërbleftë me shkallët më të larta të Parajsës!

Video nga Paradoks

VV SHOW - A ma shumë ka gjasa që LDK të bëjë kualicion me Vetvendosjen, apo të rrëzohet Abdixhiku

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci