Të fundit

E djathta serbe paralajmëron tubim ndërkombëtar në Kosovë

Organizata ndërkombëtare Aleanca për Paqe dhe Liri (The Alliance for Peace and Freedom – APF), e cila mbledh të djathtët ekstremë, po planifikon një tubim në veri të Kosovës, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë.

Siç ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, udhëheqësi i lëvizjes me orientim të djathtë “E djathta serbe nga Serbia”, Misha Vaciq, qëllimi i tubimit do të jetë ofrimi i mbështetjes ndërkombëtare për serbët në Kosovë.

“Që ta shohin (serbët) se nuk janë vetëm vëllezërit tanë tradicional – të tipit rusët dhe grekët – por, që ekzistojnë në të gjithë popujt e Evropës njerëz që kanë qëndrim politike se Kosova është Serbi”, tha Vaciq në një deklaratë përmes telefonit.

Aleanca për Paqe dhe Liri (APF) bashkon partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Anëtarë të Aleancës, ndër të tjerë, janë edhe Partia Forza Nuova nga Italia, Fronti Kombëtar Francez, ndërkaq që bashkëpunon edhe me organizatën greke të ndaluar neo-naziste, Agimi i Artë.

Aleanca, më 26 shtator mbajti konferencën “Kombet e Evropës”, në Hotel Moska në Beograd , në të cilën, sipas një raporti nga faqja e internetit e kësaj organizate, u dëgjuan mesazhe që mohonin pandeminë, por edhe pavarësinë e Kosovës.

Nikoqir i tubimit ishte Misha Vaciq, i cili më parë ka qenë udhëheqës i lëvizjes së krahut të djathtë “Nashi 1389” (Tanët 1389), ndërkaq që në vitin 2017 ai e themeloi lëvizjen E djathta Serbe.

Kjo lëvizje, siç thuhet në faqen e saj të internetit, promovon tradicionalizmin, atdhedashurinë, shoqërinë e shëndoshë dhe integrimet euro-aziatike.

Në faqen e internetit të kësaj lëvizjeje gjithashtu përmendet angazhimi për të hyrë në një aleancë ushtarake me forcat e Lindjes, si dhe mohon pavarësinë e Kosovës.

Në tubimin e 26 shtatorit, i cili nuk tërhoqi shumë vëmendjen e mediave, u përmend edhe mundësia që tubimi tjetër të mbahej në veri të Kosovës, ku në shumicë jeton popullata me kombësi serbe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vaciq konfirmoi se planifikon që në mes të nëntorit të organizojë në Kosovë një tubim të partive politike të krahut të djathtë, të mbledhura rreth Aleancës për Paqe dhe Liri.

“Ende nuk janë të njohura detajet se ku saktësisht do të mbahet mbledhja, sidomos për shkak të situatës së sigurisë. Nuk është e sigurt nëse ky do të jetë një samit i formatit që u mbajt në Beograd. Plani im është që t’i sjell të gjithë ata politikanë evropianë dhe t’i vizitojnë serbët në barrikada. Por, pasi që barrikada nuk ka, plani është ende duke u pritur”, ka thënë Vaciq.

Siç tha ai, formati i tubimit do të vendoset në përputhje me situatën në terren.

“Çështja është t’i japim popullit serb (në Kosovë) mbështetjen e patriotëve ndërkombëtarë”, u shpreh Vaciq.

Ai nuk pret që për shkak të autoriteteve të Kosovës të ketë ndonjë problem me rastin e organizimit të tubimit të tillë.

I pyetur nëse mendon se do të ketë probleme me autoritetet e Kosovës kur ai të hyjë në vend, Vaciq konsideron që vetëm ai personalisht mund të ketë probleme.

“Mund të jetë problem vetëm për mua, sepse kam pasur një ndalim të hyrjes që kur kam qenë këshilltar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Por, unë nuk e respektoj atë ndalim, sepse nuk i pranoj vendimet e institucioneve të përkohshme, që për mua janë institucione terroriste dhe jo organe e autoritete”, tha Vaciq për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson që nuk pret që të ketë probleme kushdo nga delegatët e huaj gjatë hyrjes në Kosovë.

“Kohë më parë ka qenë në vizitë një ekip i Forza Nuove-s, pasi që Italia është vend që e njeh Kosovën. Mund të ketë probleme me delegatët rusë dhe delegatët nga vendet që nuk e kanë njohur shtetin e rrejshëm të Kosovës”, theksoi Vaciq.

Ai shtoi se anëtarët e Forza Nuove-s kanë shkuar në Kosovë që të dorëzojnë ndihmat “me ushqime dhe para, për serbët më të rrezikuar”, por ai nuk deshi që të japë detaje të tjera lidhur me këtë vizitë.

“I kemi dërguar në veri dhe kanë hyrë pa asnjë problem. Njerëzit tanë është dashur të kenë testet PCR-së (për koronavirus), në mënyrë që të mund të hynin”, tha Vaciq.

Kush është Misha Vaciq?

Misha Vaciq, që nga fillimi i karrierës së tij, është angazhuar për ideologji të krahut të djathtë ekstrem.

Pas vetes ka disa vendime gjyqësore për vepra që, ndër të tjera, përfshijnë armëmbajtje pa leje dhe kërcënime me dhunë.

Ai u arrestua për herë të parë në shtator të vitit 2009, pas anulimit të Paradës së Krenarisë dhe pasi që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi tubimet publike në Beograd, për arsye sigurie, të cilën ndalesë Vaciq nuk e respektoi.

Për atë arsye, po të njëjtin vit, ai u dënua me 30 ditë burg.

Si zëdhënës i lëvizjes SNP 1389, në korrik të vitit 2013, ai u dënua me një vit burg me kusht, për shkak të përhapjes së ideve diskriminuese, për armëmbajtje pa leje dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave të tij, si dhe për shkak se kërcënoi me dhunë në qoftë se mbahej Parada e Krenarisë.

Gjatë gjykimit, prokuroria theksoi se ishte vërtetuar se Vaciq bëri thirrje për linçim dhe dhunë kundër anëtarëve të popullatës LGBT, ndërsa mbrojtja deklaroi se nuk kishte prova që ai kishte kryer ndonjë vepër penale.

Në shkurt të vitit 2015, Gjykata e Apelit e ndryshoi atë vendim, duke e ulur dënimin për Vaciqin nga një vit në shtatë muaj me kusht.

Në shkurt të vitit 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë e saj, ai mori pjesë në tubimin “Kosova është Serbi”, kur u dogj Ambasada amerikane në Beograd, në tubimet për të mbështetur të dënuarit e Hagës, Radovan Karaxhiq në vitin 2008, si dhe në shumë manifestime mbështetëse për të akuzuarin e Hagës, Ratko Mlladiq.

Pas kësaj, siç e pati konfirmuar, në vitin 2016, ish-drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, i cili është aktualisht ambasador i Serbisë në Uashington, Vaciqi ishte i angazhuar në atë zyrë.

Duke reaguar ndaj kritikave publike në lidhje me angazhimit të Vaciqit, Gjuriq shpjegoi në vitin 2017 se Vaciqi nuk ishte i punësuar përgjithmonë në atë organ qeveritar, por se ai kishte një kontratë ligjërisht më pak detyruese.

“Misha Vaciq është e punësuar në Zyrën për Kosovën, në bazë të një kontrate për mbështetje në mbledhjen e fondeve dhe organizimin e ndihmës për familjet e rrezikuara në aspektin social në Kosovë, për rinovimin e kishave dhe manastireve, funksionimin e kuzhinave të vogla dhe aktivitete të tjera humanitare në krahinë” pati theksuar Gjuriq për agjencinë Tanjug, në vitin 2016, thuhet në faqen e internetit të portalit Istinomer.

Gjuriq, në një deklaratë më 24 janar të vitit 2017, tha se po atë ditë Zyra e ndërpreu kontratën me Vaciqin.

Dhjetë ditë më herët, më 15 janar, Vaciq ishte në trenin që u nis nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut, i cili u ndal në Rashkë, pranë kufirit serb me Kosovën, me vendim të kryeministrit të atëhershëm, sot presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe që më pas u kthye në Beograd për arsye sigurie.

Siç raportuan mediat asokohe, Vaciq në tren u shpërndau gazetarëve vizitkartat, duke deklaruar se ai ishte këshilltar i Marko Gjuriqit, drejtorit të atëhershëm të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Vaciq gjithashtu ka lidhje me djathtistin britanik, Jim Dowson, i cili ishte mysafir në një nga takimet themeluese të lëvizjes së tij në janar të vitit 2018, së bashku me intelektualin rus, Leonid Savin, i cili redakton faqen e internetit të Konstantin Malofeyev, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sanksionuan për shkak të mbështetjes që u kishte dhënë separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Gjithashtu, Millenko Jovanov, një zyrtar i lartë i Partisë Progresive Serbe në pushtet, ishte i pranishëm në takimin themelues të së djathtës serbe.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci