Të fundit

Krimi me punësimet në KRU “Prishtina” – gati të rehatohet edhe ish-asamblisti i LVV-së

Ujësjellësi i Prishtinës është kthyer në një strehë punësimi të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Asamblistë nga kuvendet komunale të rajonit të Prishtinës janë rehatuar në pozita kyçe në ndërmarrjen publike. Një konkurs i fundit dyshohet se është kurdisur për t’ia përmbushur ambiciet një ish-aktivisti, të larguar nga grupi i asamblistëve të LVV-së në Lipjan.

Pretendimi i Hekuran Muratit për krijimin e 78 mijë vendeve të reja të punës në katër vitet e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, është përgënjeshtruar nga raportet kredibile vjetore të Bankës Botërore.

Por, vlerësimi i ministrit të Punës për “lulëzimin” e punësimit, qëndron në një pikë: atë të punësimit në ndërmarrje publike të militantëve partiakë dhe njerëzve të afërt me pushtetin.

As Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk i ka shpëtuar kapjes nga pushteti dhe shfrytëzimit si aset për punësime militantësh.

Një hulumtim i Paparacit dëshmon se si Ujësjellësi ‘Prishtina’, me kryeshef ekzekutiv Arsim Fetahun, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, është shndërruar në strehë punësimi të militantëve e asamblistëve. Shumica të lidhur me LVV-në. Është kthyer në një mekanizëm në dorë të pushtetit për pazare të dyshuara me asamblistë të kuvendeve komunale.

Kasib Bashota nga Podujevë, Sokol Bylykbashi nga Drenasi e Kushtrim Zeneli nga Mitrovica, janë emrat e fundit që janë “rehatuar” në KRU ‘Prishtina’.

Kasib Bashota në zgjedhjet e vitit 2021 ishte votuar për asamblist nga LVV-ja në Kuvendin Komunal të Podujevës.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi me Kasib Bashotën

Sokol Bylykbashi, ish-asamblist i LVV-së në Komunën e Drenasit, tashmë i punësuar në KRU Prishtina, i shfaq haptas punët si inspektor në ujësjellës.

Profili i tij në rrjetin social Facebook është i mbushur me aktivitete përkrahëse për Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, raporton Paparaci.

Sokol Bylukbashi – KRU Prishtina

Kushtrim Zeneli, kryesues i Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, fillimisht ishte punësuar si inspektor në KRU Prishtina. Më pas, Zeneli ishte avancuar në pozitën e menaxherit të Departamentit të Kontrollit në lidhje me furnizuesit e ujit.

Kushtrim Zeneli

Së fundmi, një konkurs për një pozitë të rëndësishme në Ujësjellësin ‘Prishtina’ dyshohet se është kurdisur për një asamblist të pavarur në Kuvendin Komunal të Lipjanit, ish-përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, Fadil Spahiu.

Spahiu ia ka msyer konkursit për pozitën ‘zyrtar për ankesa të konsumatorëve’ në KRU ‘Prishtina’.

Fadil Spahiu, ish-asamblist i LVV-së, tash këshilltar i pavarur në Kuvendin Komunal

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Lipjanit, e pranoi se ka aplikuar në konkursin e punësimit në Ujësjellësin ‘Prishtina’. Tha se konkursi është publik, ndonëse ai nuk është publikuar në uebfaqen e ujësjellësit.

“Konkursi ka qenë publik. Unë nuk e di nga i keni marrë ju ato informata”, tha Spahiu për Paparacin.

Ai tha se i ka kaluar dy fazat e testimit: atë me gojë dhe me shkrim.

“Po, i kam kaluar testimet me shkrim dhe atë me gojë. Ende nuk i kam pranuar rezultatet përfundimtare”, tha Spahiu.

Burime pranë ngjarjes i thanë Paparacit se Spahiut, të dorëhequr nga grupi i asamblistëve të LVV-së në Lipjan në shtator të vitit 2022, i është premtuar pozita e lakmueshme në KRU ‘Prishtina’ në këmbim të rikthimit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Spahiu, në një bisedë telefonike me Paparacin të mërkurën, i hodhi poshtë pretendimet. Tha se në ndërmarrjen publike, të mbushur me militantë partiakë të LVV-së, po punësohet në baza meritore.

“Jam asamblist i pavarur në Kuvendin Komunal të Lipjanit dhe unë nuk e di që duhet të kthehem në Vetëvendosje meqë kam konkurruar për një vend pune në një konkurs publik. Procesi kërkon meritokraci dhe nuk jam në dijeni që duhet të jem i lidhur me Vetëvendosjen që të punësohem aty”, tha Spahiu.

Paparaci, të mërkurën ka kërkuar sqarime nga KRU ‘Prishtina’ për punësimet në baza partiake në ndërmarrje, por deri në momentin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje në pyetje me shkrim.

Parregullsi në konkurset e punësimit në KRU Prishtina, ka konstatuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Gjatë auditimit të procesit të rekrutimit për tri pozita të shpallura në konkurse të ndryshme: kontabilist, zyrtar i lartë në shërbimin e faturimit dhe inspektor në shërbimin për kontroll dhe shkyçje, Auditori Gjeneral ka vërejtur se kompania kishte pranuar dokumente pas datës së mbylljes së konkurseve.

Dokumentet e pranuara ishin si përvoja e punës, certifikata e lindjes, certifikata që nuk është nën hetime, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Për pozitën “kontabilist”, kandidati nuk kishte ofruar dëshminë e përvojes së punës (trustin) siç kërkohej në shpallje të konkursit, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Udhëzimi Administrativ 07/2017, neni 5, pika 1.9, përcakton se aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, ndërsa aplikacionet e mangëta refuzohen. Po ashtu konkursi me nr. protokoli 2047 përcakton se kandidatët të kenë së paku një vit përvojë pune, e cila duhet të dëshmohet me pasqyrë të trustit”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, mos aplikimi i procedurave të konkursit të publik, mund të diskriminojë personat tjerë potencial për avancime si dhe zbeh kredibilitetin e punësimit në kompani. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci