Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hapur tender për matjen, identifikimin dhe inventarizimin e lokaleve, kiosqeve dhe hapësirave të tjera të ndërmarrjen shoqërore “Tregu”.
Këto hapësira ndodhen brenda komplekseve të tregut, të cilat administrohen nga AKP dhe shfrytëzohen pa kontratë qiraje, thuhet në Dosjen e Tenderit.
“Ky projekt do të realizohet përmes Operatorit Ekonomik (OE), i cili do të ofrojë shërbimet në përputhje me legjislacionin në fuqi, termat e referencës, rregullat profesionale, standardet teknike të aplikueshme dhe rekomandimet përkatëse”, thuhet në Dosjen e Tenderit.
Operatorët ekonomikë do të përcaktojnë saktësisht hapësirat që do të përfshihen në këtë projekt, duke specifikuar zonat ku do të kryhen matjet, identifikimi dhe inventarizimi.
Pas përfundimit të projektit, AKP do të ketë një pasqyrë të saktë dhe të detajuar të njësive tregtare dhe hapësirave të tjera të shfrytëzuara pa kontratë qiraje, duke përfshirë: Tregun me Shumicë në Zonën Industriale, Prishtinë, Tregun e Ulpianës dhe Tregun e RTK-së.
Afati për dorëzimin e tenderëve është data 31.03.2025.
