Forca misterioze e quajtur Energjia e Errët, e cila nxit zgjerimin e Universit, mund të jetë duke ndryshuar në një mënyrë që sfidon kuptimin tonë aktual të hapësirës dhe kohës, kanë zbuluar shkencëtarët.
Disa prej tyre besojnë se mund të jenë në prag të një prej zbulimeve më të mëdha të gjeneratës në astronomi – një që mund të detyrojë rishikimin nga themeli i krejt teorive për universin.
Ky zbulim fillestar bie ndesh me teorinë aktuale, e cila u zhvillua pjesërisht nga Albert Ajnshtajni.
Nevojiten më shumë të dhëna për të konfirmuar këto rezultate, por edhe disa nga studiuesit më të kujdesshëm dhe të respektuar të përfshirë në studim, si profesori Ofer Lahav nga University College London, po e pranojnë gjithnjë e më shumë si një mundësi reale.
“Është një moment dramatik”, ka thënë ai për BBC-në.
“Mund të jemi duke dëshmuar një ndryshim paradigme në kuptimin tonë të Universit”.
Zbulimi tronditës
Zbulimi i Energjisë së Errët në vitin 1998 ishte tronditës në vetvete. Deri atëherë, mendimi ishte se pas Big Bengut, i cili krijoi Universin, zgjerimi i tij do të ngadalësohej nën ndikimin e forcës së gravitetit.
Por vëzhgimet e shkencëtarëve amerikanë dhe australianë treguan se në të vërtetë zgjerimi po përshpejtohej. Ata nuk kishin asnjë ide se çfarë force e shtynte këtë proces, kështu që i dhanë një emër që reflektonte mungesën e tyre të kuptimit – Energjia e Errët.
Megjithëse nuk e dimë çfarë është Energjia e Errët – ajo mbetet një nga misteret më të mëdha të shkencës – astronomët mund ta matin atë dhe të vëzhgojnë nëse po ndryshon, duke analizuar përshpejtimin e galaktikave në epoka të ndryshme të historisë së Universit.
Eksperimentet që kërkojnë përgjigje
Disa eksperimente u ndërtuan për të gjetur përgjigje, përfshirë Instrumentin Spektroskopik të Energjisë së Errët (DESI) në Observatorin Kombëtar të Kitt Peak pranë Tucson, Arizona. Ai përbëhet nga 5,000 fibra optike, secila e kontrolluar në mënyrë robotike për të skanuar galaktikat me shpejtësi të lartë.
Vitit të kaluar, kur studiuesit e DESI gjetën të dhëna që sugjeronin se forca e ushtruar nga Energjia e Errët kishte ndryshuar me kalimin e kohës, shumë shkencëtarë menduan se ishte thjesht një devijim në të dhëna që do të zhdukej.
Por, një vit më vonë, ky devijim është forcuar.
“Të dhënat po bëhen më të forta”
“Provat tani janë më të forta se sa ishin,” tha Prof. Seshadri Nadathur nga Universiteti i Portsmouth-it.
“Kemi kryer shumë teste shtesë krahasuar me vitin e parë, dhe ato na bëjnë më të sigurt se rezultatet nuk janë të ndikuara nga ndonjë efekt i panjohur në të dhëna që nuk kemi marrë parasysh,” shtoi ai.
Rezultate të çuditshme
Të dhënat ende nuk kanë kaluar pragun për t’u konsideruar si një zbulim i plotë, por kanë tërhequr vëmendjen e shumë astronomëve, si Astronomja Mbretërore e Skocisë, Prof. Catherine Heymans nga Universiteti i Edinburgut.
“Energjia e Errët duket të jetë edhe më e çuditshme sesa mendonim,” i tha ajo BBC News.
“Në vitin 2024, të dhënat ishin ende të reja, askush nuk ishte i sigurt për to dhe njerëzit mendonin se duheshin më shumë analiza.
Por tani, ka më shumë të dhëna dhe një shqyrtim më të madh nga komuniteti shkencor, kështu që, ndërsa ekziston ende mundësia që ‘devijimi’ të zhduket, ka gjithashtu një mundësi që të jemi pranë një zbulimi shumë të madh.”
Çfarë e shkakton këtë ndryshim?
“Askush nuk e di!” pranon me entuziazëm profesori Lahav.
“Nëse ky rezultat i ri është i saktë, atëherë duhet të gjejmë mekanizmin që shkakton këtë ndryshim dhe kjo mund të nënkuptojë një teori krejtësisht të re – gjë që e bën këtë kaq emocionuese”.
DESI do të vazhdojë të mbledhë më shumë të dhëna gjatë dy viteve të ardhshme, me plane për të matur rreth 50 milionë galaktika dhe objekte të tjera të ndritshme, në përpjekje për të përcaktuar përfundimisht nëse vëzhgimet e tyre janë plotësisht të sakta.
“Ne po përpiqemi të kuptojmë se si funksionon Universi, dhe ndoshta ai po na tregon se është më i ndërlikuar nga sa kemi menduar,” tha Andrei Cuceu, studiues postdoktoral në Laboratorin Kombëtar Lawrence Berkeley në Kaliforni.
Më shumë detaje mbi natyrën e Energjisë së Errët do të merren nga misioni Euclid i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), një teleskop hapësinor që do të eksplorojë më thellë se DESI dhe do të sigurojë edhe më shumë detaje. Ai u lëshua në vitin 2023 dhe ESA publikoi sot imazhe të reja nga ky mision.
Bashkëpunimi i DESI përfshin më shumë se 900 studiues nga mbi 70 institucione në mbarë botën, duke përfshirë universitetet Durham, UCL dhe Portsmouth në Mbretërinë e Bashkuar.
