Kompetencat e rrjedha nga marrëveshja për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, i garantojnë kompanisë “Društvo Elektrosever D.O.O” që t’i përcaktojë vet tarifat përfundimtare për konsumatorët në katër komunat veriore. ZRrE e ka vërtetuar sot se ajo nuk i përcakton tarifat e kompanisë, të cilën e ka licencuar gati tri vite më parë. “Društvo Elektrosever D.O.O” është në pronësi të shtetit të Serbisë.
“Društvo Elektrosever D.O.O”, një kompani e shtetit serb e regjistruar me degë në Kosovë, i përcakton vet tarifat për konsumatorët fundorë, banorë të katër komunave veriore, tha sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
ZRrE-ja nuk ka mandat, as kompetenca, t’i përcaktojë tarifat për Elektroseverin, e cila operon si e pavarur sikurse 17 furnizues të tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
KESCO ka një tjetër status.
Kompania turke, e cila e privatizoi distribucionin dhe rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë më 2013, e ka statusin e Furnizuesit të Shërbimit Universal.
Bazuar në Ligjin për Energjinë Elektrike në fuqi, të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jo familjar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se 10 milionë euro, ose që kanë më pak se 50 punonjës.
Megjithatë, neni 37, paragrafi 2 i këtij Ligji nuk vlen për konsumatorët familjarë në katër komunat veriore.

Kësisoj, as ZRRE-ja nuk mund të përcaktojë tarifat për konsumatorët në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – që furnizohen nga kompania serbe “Društvo Elektrosever D.O.O”.
Kompetencat për furnizim të energjisë elektrike i ishin deleguar kësaj kompanie bazuar në Udhërrëfyesin për Marrëveshjen për Energji të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në qershorin e vitit 2022 në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Pajtimi që ishte arritur nga kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, parashihte inkasimin e faturave të energjisë elektrike në veri për herë të parë pas dy dekadash.
Ajo, ishte prezantuar si sukses nga zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori Bislimi, i cili pas arritjes së pajtimit me Petkoviqin për çështjen e energjisë kishte deklaruar se udhërrëfyesi për implementimin e marrëveshjeve për energjinë me Serbinë të arritur në vitin 2013 dhe 2015 “nuk e cenon sovranitetin” e Kosovës.
Megjithatë, vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për caktimin e tarifave për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut OST/OT, tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes OSSH dhe tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU, e ka “djegur” Bislimin.
Vet ZRrE-ja tha të martën se tarifat e përcaktuara për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO), pra furnizuesin e garantuar për konsumatorët familjarë në Republikën e Kosovës, nuk vlen për ata në veri.
Një zëdhënës i ZRrE-së i tha Paparacit se Elektroseveri është i licencuar si furnizues i energjisë, por jo si furnizues me shërbim universal.
Sipas ZRrE-së, Elektroseveri është i obliguar t’i paguajë tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes (OST dhe OSSH).
“ZRRE-ja përcakton tarifat për përdorimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes që janë të zbatueshme për të gjithë operatorët e licencuar, përfshirë edhe Elektrosever-in. Ky operator është i obliguar të paguajë tarifat për shfrytëzimin e këtyre rrjeteve, sipas vendimeve të miratuara nga Bordi i ZRRE-së”, tha një zëdhënës i ZRrE-së në një përgjigje me shkrim për Paparacin.
Tarifat të cilat i aplikon Elektroseveri te konsumatorët fundorë, qofshin ata familjarë apo biznese, ZRrE tha se janë çështje në dorë të kompanisë serbe.
“Megjithatë, tarifat që Elektrosever u aplikon konsumatorëve të saj janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe nuk përcaktohen nga ZRRE-ja”, tha ZRrE-ja.
Në regjistrin e furnizuesve të licencuar të energjisë në uebfaqen e ZRrE-së, figurojnë 19 kompani, përfshirë Elektroseverin dhe KESCO-n, i cili është edhe furnizues i garantuar.

Një kompani e 20-të është vendosur të hënën në shqyrtim për t’u licencuar, bazuar në të dhënat e publikuara nga ZRrE.
“Društvo Elektrosever D.O.O” është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor. Kompania është licencuar më 26 qershor të vitit 2022.
Sovraniteti elektro-energjetik në tërë territorin e Kosovës e shqetësonte Lëvizja Vetëvendosjen në opozitë.
Madje, partia në pushtet i kishte kundërshtuar ashpër dy marrëveshjes e viteve 2011 dhe 2013 për energjinë, për të cilat ishte pajtuar Besnik Bislimi tri vite më parë.
Tashmë kryeministri në detyrë Albin Kurti, asokohe deputet opozitar, deklarohej kategorikisht kundër sjelljes së Elektroseverit në Kosovës.
“Elektroseveri nuk duhet të pranohet kurrsesi”, deklaronte Kurti gjashtë vjet më parë. “Dhe nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat për veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja edhe furnizimi, nëse nuk e bën KEDS-i duhet ta bëjë qeveria”. /Paparaci.com
