Analisti politik, Visar Ymeri ka vlerësuar se Shqipëria është në prag të një transformimi strategjik që do ta shndërrojë në qendrën më të rëndësishme të rajonit, duke e marrë gradualisht primatin që historikisht i është atribuar Beogradit. Vend kryesor i NATO-s në rajon.
Në emisionin “VV Show”, Ymeri tha se roli i Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë në Ballkan po rritet ndjeshëm.
“Shqipëria është në proces të shndërrimit të vendit më të rëndësishëm të rajonit. E dime të gjithë, vazhdimisht qendra, rajoni është konsideru të jetë Beogradi. Dhe tash këtë primat po e merr Shqipëria në shumë aspekte. Shqipëria sot shihet si vendi kryesor i NATO-s në rajon. Edhe pse janë tri vende..”, u shpreh Ymeri.
Ai theksoi se ky zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën, që përballet me kërcënime të vazhdueshme nga Serbia.
“Infrastruktura që po ndërtohet, ushtarake a NATO-s, baza në Kuçovë e tjerat përreth në Shqipëri janë një element i jashtëzakonshëm i sigurisë për neve, për Shqipërinë por edhe për vende tjera, besoj edhe Kosova dhe vendet tjera. Përveç aspektit e BE-së, Shqipëria do të bëhet garanti i sigurisë në rajon për NATO-n. Neve na intereson shumë si Kosovë, meqë jemi të rrezikuar nga Serbia. Ata që dështojnë me pa këtë gjë që kanë zili dhe inat ndaj Edi Ramës, e bëjnë një gabim të madh. Zhvillimi i Shqipërisë është i dobishëm për neve”, shtoi Ymeri.
Sipas tij, zhvillimi i Shqipërisë, qoftë në aspektin ushtarak, ekonomik apo politik, është në të mirë të të gjithë rajonit.
