Gazetari Vehbi Kajtazi ka bërë një krahasim mes qeverisjes së Albin Kurtit dhe asaj të Hashim Thaçit, duke theksuar se ndonëse Kurti ka 48 deputetë, më shumë se çdo lider tjetër në të kaluarën, po dështon të ndërtojë institucione për shkak të qasjes përjashtuese dhe mungesës së bashkëpunimit me opozitën.
“48 deputetë Thaçi nuk i ka pas kurrë. Por nuk e ka pas problem me i ndërtu institucionet. Me Behgjet Pacollin ka qeverisë, aq ngushtë i ka pas numrat”, tha Kajtazi, duke shtuar se Kurti, me këtë shumicë, do të kishte mundur të ndërtonte një koalicion të gjerë dhe stabil nëse do të kishte pasur një politikë të hapur.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po dështon të krijojë konsensus edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me kandidaturën e Albulena Haxhiut që është refuzuar 17 herë, duke shkaktuar bllokim institucional.
“17 herë dështoi Haxhiu. Problem shumë i madh, ndërkohë VV ka tendenca që në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, Kuvendi të mblidhet vetëm njëherë në javë se po mendojnë që e kanë tepru duke u mbledh çdo dy ditë. Një here në javë që me provu rrugën e njëjtë me dale në një cak të caktuar. Nuk po shkojnë njëra me tjetrën”.
Kajtazi kritikoi edhe presidenten Vjosa Osmani për pasivitet, duke thënë se po shmang detyrimet kushtetuese për të garantuar funksionimin e institucioneve.
“Vjosa Osmani sërish po heziton me marrë rolin e vet. Në fund të fundit është e obliguar me Kushtetutë të garantojë funksionimin e institucioneve. Pse duhet me iu dhënë kohë? Çoje në Gjykatë Kushtetuese, menjëherë”.
Sipas tij, nëse Kurti do të kishte komunikim normal me partitë opozitare, si LDK e PDK, të dyja do të ishin të gatshme të hynin në një marrëveshje qeverisëse.
“Me 48 deputetë me pas udhëheq ky (Kurti) politikë normale, të komunikimit normal me kundërshtarët politikë, ky nuk ish dashtë me pas problem me zgjedh edhe presidenten. Me kriju një koalicion të fuqishëm. Secila parti lakmon me hy në pushtet. Edhe PDK-ja dhe LDK-ja, të dyja kishin hy në koalicion me të, nuk kishin hezitu. Në situate normale, kishin marrë hise dhe përgjegjësi me ecë ky vend përpara. 48 deputetë Thaçi nuk i ka pas kurrë. Por nuk e ka pas problem me i ndërtu institucionet. Me Behgjet Pacollin ka qeverisë, aq ngushtë i ka pas numrat”.
