Drejtori i investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokoli Havolli, ka sqaruar në detaje se çfarë është duke ndodhur me projektin milionësh të ndërtimit të sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
I ftuar në emisionin Paradoks me gazetarin Vehbi Kajtazi, Havolli ka thënë se si shkas kryesor për bllokimin e punimeve në këtë projekt është politika.
Sipas Havollit, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për të nisur punimet ashtu siç është planifikuar në projektin e Komunës së Prishtinës, mirëpo ndasitë politike kanë pamundësuar realizimin e këtij projekti.
“Ata kanë dashtë me mbyll krejt punishten por nuk i kemi lejuar. Komuna kur e ka planifikuar projektin e sheshit ka shikuar edhe regjistrat kadastral nga ku e kemi kuptuar se nuk mund të afrohemi afër bibliotekës për shkak se është e mbrojtur me ligj, por objektet tjera nuk kanë qenë në sistem. Mirëpo, kur ka filluar realizimi i projektit, inspektorët e ministrisë kanë thënë se edhe objekti i Radio Prishtinës, Hoteli Grand dhe Rektorati janë në mbrojtje, duke na prezantuar një listë e jo vendim. Pas bllokimit të punimeve e kemi dërguar projektin e ri të detajuar ku kemi kërkuar lejen, por pa sukses.
Sheshi i ka dy nivele që e bën atë një shesh më atraktiv e më të dashur për njerëzit, por arsyetimi i inspektorëve të ministrisë ishte se strukturat e sheshit e humbin pamjen e objektit të Radio Prishtinës, edhe pse përkundrazi këto platforma vetëm se e vendosin më tepër në pah këtë objekt. Kanë thënë se s’po na pëlqejnë dritat e pllakat, duke u përzier në kompetencat e komunës. Ata kanë kërkuar që të eliminohen këto vërejtje, por nuk kemi pasur kompromis në këtë pikë pasi që ata nuk janë kompetent për këtë pikë. Shihet qartë se pengesa është politike. Ata vetë nuk i kanë përfunduar detyrat ligjore siç është regjistrimi i objekteve në regjistrin kadastral”, ka thënë Havolli në Paradoks.
