Gazetari Vehbi Kajtazi ka folur lidhur me situatën politike në vend, teksa ka kritikuar ashpër dy liderët kryesorë të opozitës, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Memli Krasniqin e PDK-së, për, siç tha ai, vetëkënaqësi dhe mungesë të vullnetit për të kundërshtuar qeverinë Kurti.
Derisa foli për Abdixhikun, Kajtazi tha se ai krenohet me 300 metra asfalt në Prishtinë.
“I kemi dy liderë të dy subjekteve politike, PDK dhe LDK që janë të kënaqur me vetëveten, e para, atyre iu pëlqen vetja. Ata janë tu e dashtë vetëveten edhe në këtë situatë kaotike, të rrezikshme për vendin. Lumiri del pikë nate, 300 metra asfalt në nënkalim, në kurriz, krenohet që po shtrohen. Qe dy vjet ia ka nis. 300 metra asfalt, thotë çka po bajm na, namin e bane, ta ka mbulu shehrin bërllogu”, tha Kajtazi.
Sipas tij, ndërkohë PDK-ja nuk ka asnjë drejtim të qartë.
“E ke Memlin në të njëjtën kohë që nuk e din çka është duke dasht”, theksoi ai, duke shtuar se të dy liderët janë të lidhur përmes interesave të tërthorta me kryeministrin Albin Kurti.
“Dhe unë mendoj që të dytë janë në interesa të ndryshme, të tërthorta, me Albin Kurtin. Albin Kurti sot me dashtë, është duke i keqtrajtu këta, sot me dashtë i merr në pushtet, vetëm me interesa. Le t ia voton Lumir Abdixhikut PZHK-në Komunës së Prishtinës, Planin Zhvillimor, të garantoj se hyn. Sepse po flasim për miliona interesa aty që ndahen pastaj. 75 hektarë hapësirë e gjelbërt, me këtë plan kthehet në ndërtim të lartë. Po flasim për miliona. Ata mund të thonë se nuk hym na, ne nuk jemi budall, i shohim interesat”, shtoi Kajtazi në “VV Show”.
Ai vazhdoi më tej me akuza direkte për pazare politike.
“Të njëjtën kohë, Memli Krasniqit, grupit të këtyre, le t ia plotësojnë do interesa energjetike ta zëmë, rehatohen krejt. Albin Kurti po i njeh këta, po i njeh aq mirë sa që nëpërmjet interesave, i kontrollon dhe në të njëjtën kohë ta mban shtetin peng”.
“Çfarë opozite është kjo kur shteti është peng, kuvendi peng, qeveria është e uzurpume dhe këta i mjafton me llafe. Politika nuk është llaf, është aktizivëm. A del dikush që e mbron Kosovën prej uzurpimit. Po shihet që nuk del”.
