Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, Hajdar Beqa, ka mohuar lidhjen e një marrëveshje koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve.
Beqa, në një reagim në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se përfaqësuesit e Degës së PDK-së në Gjakovë nuk kanë diskutuar zyrtarisht me asnjë subjekt tjetër politik për çështje të koalicioneve.
“Ju njoftoj që PDK nuk ka pasë asnjë takim zyrtar me asnjë nga pretendentet dhe partitë që janë në garë në balotazh në Gjakovë dhe se kjo është një dezinformatë që lansohet nga kampet të cilat PDK-në e shohin si forcë kredibile politike për t’ua fituar garën e balotazhit”, ka thënë Beqa.
Ai ka deklaruar se Dega e PDK-së në Gjakovë do të vendos për kyçjen në garën e balotazhit pas konsultimit me anëtarësinë dhe mbështetësit e saj.
“Dega e PDK-së në Gjakovë njofton strukturat dhe simpatizantet e saj, se kyqjen në garën e balotazhit do ta bëj vetëm pas konsultimit me strukturat e saj dhe pas marrjes së pëlqimit edhe nga mbështetësit stoik të saj, andaj kushdo që llogarit në PDK para kësaj periudhe të konsultimeve, marrëveshja eventuale me ne do të mbetet vetëm në nivelin e dëshirave të tyre”, ka thënë ai.