Kandidatja për Kuvendin Komunal të Gjilanit nga Partia Demokratike e Kosovës, Mrika Krasniqi Shala, ka theksuar se një nga angazhimet e saj me prioritet është mbështetja për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre.
Ajo thekson se këta fëmijë nuk kanë nevojë për mëshirë, por për dashuri, përkrahje dhe mundësi të barabarta.
“Komuna e Gjilanit duhet të ndërtojë politika konkrete që i japin fund izolimit të tyre dhe familjeve të tyre,” tha Krasniqi Shala.
Ajo propozon hapa konkretë:
- investime në qendra dhe shërbime profesionale për zhvillim dhe rehabilitim;
- mbështetje financiare dhe psikologjike për prindërit;
- përfshirje të plotë në arsim dhe aktivitete kulturore e sportive;
- trajnime për kuadrot profesionale që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.
“Një shoqëri e drejtë matet me kujdesin që i kushton më të ndjeshmëve. Unë jam e vendosur që ky vizion të bëhet realitet. Së bashku mund të ndërtojmë një Gjilan më të drejtë, më të barabartë dhe më njerëzor,” u shpreh Krasniqi Shala.

