Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Ajet Potera, i cili së fundi i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ekipit të Ekrem Hysenit, ka publikuar një mesazh të fuqishëm për qytetarët e Llapit në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit.
Në një postim të gjatë në rrjete sociale, Potera ka folur për përgjegjësinë, ndershmërinë dhe shërbimin ndaj qytetarit si vlera që duhet të udhëheqin qeverisjen lokale, duke bërë thirrje për një ndryshim real në komunën e Podujevës.
“Si fillon e mbara në komunën tonë pas 12 tetorit? Fillon me ndjenjën e përgjegjësisë dhe dashurisë për komunën, në fshat e në qytet! Fillon kur qytetari zgjedh me votë për kryetar njeriun e përgatitur, të përgjegjshëm e të ndershëm, njeriun që është në shërbim të qytetarit. Kryetari i mirë ndërton rend, rregull e disiplinë, vendos etikë dhe sjellje profesionale. Krijon meritokraci, planifikim, transparencë dhe llogaridhënie të qartë para qytetarëve. Kjo do të thotë kthim i besimit në institucionet lokale!
Mendimi ndryshe nuk duhet të na trembë, ai është pasuri e komunës. Vetëm kur të gjithë ndihen pjesë e saj, atëherë shtëpia jonë e përbashkët, komuna jonë, bëhet më e fortë! Këtë mund ta bëjë vetëm një kryetar i pakorruptuar, me kredibilitet dhe me vullnet për të dëgjuar, e pastaj për të drejtuar komunën. Nuk duam zyrtarë e kryetarë që mbyllen në zyra, por njerëz që ecin rrugëve të qytetit, në lagje e në fshatra, që dëgjojnë dhe punojnë me qytetarët për zgjidhje konkrete të problemeve të tyre”, ka shkruar Potera.
Ai thekson se qytetari meriton një administratë që punon për të, dhe jo për privilegje apo interesa personale.
“Administrata komunale, arsimi, shëndetësia, policia dhe gjyqësori duhet të jenë në shërbim të qytetarit, në përputhje me ligjin dhe me detyrën. Nuk ka më justifikime, nuk ka më privilegje, ka vetëm shërbim dhe përgjegjësi! Qytetari ynë e meriton këtë. Ai nuk dorëzohet para të keqes, nuk jep mandate kot.
Projektet duhet të burojnë nga komuniteti, sepse qytetari i di më së miri nevojat e veta. Shkolla moderne ku fëmijët mësojnë me dinjitet, shëndetësi funksionale ku trajtohemi me respekt, bujqësi e mbështetur, rrugë të asfaltuara në çdo fshat, ujë të pastër në çdo shtëpi, ekonomi me investime që krijojnë vende të reja pune dhe siguri për të gjithë. Një administratë që punon për qytetarin, jo për vetveten.
Duhet hapësirë për të rinjtë, studentë, sportistë e artistë që duan të krijojnë e ndërtojnë të ardhmen këtu, jo ta kërkojnë diku jashtë vendit. Duhet mbështetje për gratë, vajzat, personat me aftësi të veçanta dhe për çdo qytetar pa dallim. Duhet bashkëpunim i ngushtë me intelektualët dhe biznesmenët e Llapit e të Gollakut, brenda dhe jashtë vendit. Këto nuk janë luks, janë të drejta elementare, për të cilat qytetari paguan taksa dhe meriton shërbim dinjitoz, pa prerje shiritash”.
Ai e përmbyll postimin me një mesazh të qartë kundër keqqeverisjes.
“Përgjegjësia nis nga vetja! Shembulli personal është prova më e fortë e karakterit. Prandaj, ta fillojmë punën mbarë, me zemër, me vullnet dhe me ndershmëri! Është koha juaj qytetarë të Llapit e Gollakut!Më 12 tetor, zgjidhni të ardhmen që e meritoni. Së bashku, ta bëjmë komunën tonë vend ku ia vlen të jetosh, të punosh dhe të rritësh fëmijët me dinjitet dhe perspektivë. Unë besoj në zgjedhjen e mençur që e meriton qytetari i Llapit dhe i Gollakut.
Sepse e dua këtë vend dhe besoj se e mira fillon nga përgjegjësia jonë e përbashkët. Nuk guxojmë ta lëmë në duar të korruptuarve! Llapjanët nuk i durojnë zullumqarët! Ndryshimi fillon me qytetarin dhe me kryetarin e ri, bashkë!”.
