Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, ka vizituar këtë të premte fabrikën “Missini Sweets” në Mitrovicë, të cilën e ka cilësuar si një histori suksesi vendor, të ndërtuar mbi punën dhe përkushtimin familjar.
Përmes një postimi, Gjini tha se gjatë vizitës ka takuar themeluesen e biznesit, zonjën Sabahate, si dhe djalin e saj Lindritin, i cili sipas tij po e çon kompaninë drejt zgjerimit kombëtar.
“Sot vizitova fabrikën ‘Missini Sweets’ në Mitrovicë, një histori e jashtëzakonshme e punës, familjes dhe suksesit vendor”, ka shkruar Gjini.
Ai vlerësoi rrugëtimin e familjes Misini, duke theksuar se biznesi është ngritur nga zero falë vizionit dhe guximit të tyre.
“Ishte kënaqësi e veçantë të takoja zonjën Sabahate, gruan që me vizionin dhe guximin e saj nisi gjithçka nga zero, si dhe djalin e saj, Lindritin, që sot po e udhëheq këtë projekt drejt përmasave kombëtare”, deklaroi ai.
Gjini shtoi se mbështetja ndaj njerëzve që krijojnë vende pune dhe ndërtojnë biznese të suksesshme duhet të jetë prioritet institucional.
“Detyra jonë më e madhe është t’u shërbejmë dhe t’u krijojmë hapësirë njerëzve të tillë. Kjo është Kosova që duam”, u shpreh kandidati i AAK-së.
Në fund, ai falënderoi familjen Misini për mikpritjen dhe frymëzimin gjatë vizitës.
