Dogana ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të produkteve të dyshuara si të falsifikuara gjatë një operacioni të zhvilluar në pesë lokacione në rajonin e Prishtinës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar patika që mbanin shenja tregtare të markave të njohura ndërkombëtare, ndërsa vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 200 mijë euro.
“Të gjitha produktet e dyshuara janë konfiskuar dhe janë vendosur nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa rasti është duke u hetuar për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
