Përderisa në fillim të prillit Ministria e Kulturës e ka anuluar procesin, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik duket se do ta ngarkojë Ministrinë me barrën e rivlerësimit të ofertës së vetme që kishte marrë. Të paktën, eksperti i angazhuar nga OSHP-ja ka rekomanduar rivlerësim pas ankesës së kompanisë udhëheqëse të konsorciumit që ka ofertuar. Nëse paneli shqyrtues i përmbahet rekomandimit të ekspertit – gjë që ngjan shpesh – oferta do të rivlerësohet nga fillimi
Çështja e restaurimit të tërësishëm të Bibliotekës së Kosovës është gati t’i mbushë një vit prej kur ka nisur si proces i prokurimit. Përderisa në fillim të prillit Ministria e Kulturës e ka anuluar procesin, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik duket se do ta ngarkojë Ministrinë me barrën e rivlerësimit të ofertës së vetme që kishte marrë. Të paktën, eksperti i angazhuar nga OSHP-ja ka rekomanduar rivlerësim pas ankesës së kompanisë udhëheqëse të konsorciumit që ka ofertuar. Nëse paneli shqyrtues i përmbahet rekomandimit të ekspertit – gjë që ngjan shpesh – oferta do të rivlerësohet nga fillimi.
“Eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, ka rekomanduar eksperti Ilir Halili.
Ministrisë së Kulturës i ishte dashur shumë kohë për të dalë me njoftimin për anulim.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit anulon aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës’”, njoftonte Ministria e Kulturës në fillim të prillit për procesin e nisur qysh në gusht të vitit të kaluar.
Grupi i kompanive që ofertuan janë “Limitproject SH.P.K”, “Rinesa SH.P.K”, “Delta – CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K”. Ofertuan që restaurimin ta bëjnë për 21 milionë e 956 mijë e 811 euro.
Sipas arsyetimit të vendimit të Ministrisë së Kulturës, pas vlerësimit të ofertës, komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik profesional. Sipas MKRS-së, është dashur të ofrohet dëshmi e kompetencës për përvojën e mjaftueshme në sektorin përkatës dhe, për këtë qëllim, duhej dëshmuar se gjatë tre vjetëve të shkuar ka zbatuar kontrata të arkitekturës dhe inxhinierisë për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumën prej së paku 5 milionë eurove. Po ashtu, është kërkuar edhe dëshmi pune për zbatimin e projekteve të hollësishme të arkitekturës dhe inxhinierisë për ndërtimin ose renovimin e ndërtesave publike në shumën prej së paku 10 milionë eurove.
“Te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë është llogaritur vlera financiare e projekteve të ngjashme dhe, pas vlerësimit, nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove… Grupi i operatorëve ekonomikë për këtë kriter ka ofruar dëshmi në lista të kontratave, kontrata të ngjashme që kapin vlerën totale prej 4 milionë e 925 mijë eurosh”, shkruhet në arsyetimin e vendimit.
Po ashtu, sipas arsyetimit, del se nuk është plotësuar as kriteri i 10-milionëshit, pasi grupi i operatorëve ekonomikë ka sjellë dëshmi që kapin vlerën e 6 milionë e 651 mijë eurove.
“Ne e kemi marrë atë vendim, por tash ta shohim se si do të ecë procedura, pasi mund të ketë ankesa”, i kishin thënë KOHËS asokohe në Ministrinë e Kulturës.
Krejt konstatimet e MKRS-së i kishte kundërshtuar “Limitproject SH.P.K”.
Sipas ekspertit të OShP-së, pretendimi i parë ankimor ka të bëjë me arsyen e autoritetit kontraktues për eliminimin e operatorit ekonomik, se nuk ka plotësuar kërkesën e dosjes së tenderit për para të gatshme ose qasje në kredi të pakushtëzuar në emër të këtij projekti. Sipas ekspertit, kjo nuk qëndron.
“Eksperti shqyrtues jep mendim se mbështetja nga banka është mjaft e qartë se, në rast se OE shpërblehet me kontratë, banka do ta mbështesë financiarisht në shumën prej 2 milionë euro. Do të thotë se mbështetja nga banka nuk është e kushtëzuar në asnjë formë, siç ndodh shpesh në aktivitetet e prokurimit, ku zakonisht kushtëzohet mbështetja me shprehje si ‘në qoftë se klienti plotëson kushtet’ ose ‘pas vlerësimit të organit kompetent’, etj. Në rastin konkret, mbështetja nga banka është e qartë dhe e pakushtëzuar. Bazuar në këto që u cekën më lart, vlerësojmë se vendimi i AK-së është marrë në kundërshtim me kërkesat e dosjes”, shkruhet në raport.
Në këtë dokument ceket se arsyeja e dytë për eliminimin e ofertuesit lidhet me përvojën dhe se Ministria e Kulturës pretendon se një numër i projekteve të prezantuara janë më të vjetra se tre vjetët e kërkuar, si dhe se një numër i projekteve nuk kanë përfunduar ende, përfshirë ato që nuk janë të natyrës përkatëse.
Eksperti ka gjetur se dosja e tenderit përcakton qartë se, në rast të grupit të operatorëve ekonomikë, udhëheqësi i grupit duhet të përmbushë së paku 60 për qind të kësaj kërkese.
“Eksperti jep mendim se pretendimet ankimore janë pjesërisht të bazuara dhe rekomandon që, me rastin e rivlerësimit, të kërkohen sqarime shtesë dhe të bëhet vlerësim në pajtim me kërkesat e dosjes”, shkruhet në raport.
Në prill, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kishte thënë se tenderi është anuluar, ngaqë konsorciumi i operatorëve ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender, nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.
“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, kishte thënë ajo.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova, kishte thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.
“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, kishte thënë Rugova.
Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti u bë më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës.
Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë, nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.
“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.
Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, në nëntor të vitit 2024, qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se të gjitha projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun. Për Bibliotekën kishte thënë se nuk ishte vizion aksidental.
“Evropa është e vogël dhe ka identitetin e vet arkitekturor. Pjesa jonë e Evropës ka për bazë arkitekturën bizantine. Ka një traditë të gjatë të formave bizantine. Drita natyrore është menduar të jetë e gjithanshme. Aspekt tjetër është në lidhje të gjithmonshme me natyrën”, kishte thënë Mutnjakoviq.
Sa u përket ndërhyrjeve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një prej intervenimeve të fundit ishte ai i vitit 2020, kur u bë izolimi i kulmit. Me afro 200 mijë euro qe sanuar një problem i kahershëm./Koha
