Mbrëmjen e së dielës në rrugën “Ali Ibra” në Gjakovë ka ndodhur një incident i rëndë, ku një 18-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga mjete të forta dhe të mprehta.
Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një fjalosjeje mes viktimës dhe një komshiu të tij, e cila lidhet me bindje të ndryshme politike.
Këtë e ka thënë babai i viktimës në një prononcim për Klan Kosova. “18-vjeçari kishte votuar një parti tjetër, ndërsa komshiu i tij një parti tjetër”.
Rasti tragjik u konfirmua edhe nga Policia, ku u bë e ditur se edhe tre persona pësuan lëndime, duke përfshirë të dyshuarin.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 21:30 ka pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën “Ali Ibra”.
Si pasojë e incidentit, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë. Njëri prej të lënduarve ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë.
Sipas njoftimit të policisë, në mesin e të lënduarve është edhe personi i dyshuar për rastin.
“Rreth orës 21:30 kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën ‘Ali Ibra’ në Gjakovë. Si pasojë e këtij incidenti, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë. Njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, që dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Ndër të lënduarit është edhe personi i dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë “Isa Greza”, të hënën ka dalë me njoftim lidhur me rastin e rëndë të ndodhur mbrëmë në këtë qytet, ku një 18-vjeçar u vra e tre të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas njoftimit, të dielën mbrëma rreth orës 21:30, në Shërbimin e Emergjencës të Spitalit ishin pranuar katër persona të lënduar, të shoqëruar nga familjarët e tyre, ku njëri prej tyre ishte sjell pa shenja jete.
“Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha procedurat e nevojshme të reanimimit, por përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë si pasojë e lëndimeve të rënda të pësuara”, thuhet në njoftim.
Pos tjerash, spitali ka bërë të ditur se pacienti i dytë është hospitalizuar dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy pacientët e tjerë, pas trajtimit dhe ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, janë liruar për trajtim të mëtejmë në kushte shtëpiake.
“Stafi mjekësor ka reaguar menjëherë dhe ka ofruar kujdesin e nevojshëm shëndetësor për të gjithë pacientët e pranuar”.
