Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar në një intervistë për Reuters, se pavarësisht protestave të vazhdueshme Shqipëria do të vijojë me planin për ndërtimin e resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, në Zvërnec.
Pavarësisht se mijëra qytetarë kanë dalë në protesta në Tiranë dhe zona të tjera për ditë me radhë duke kërkuar anulimin e projektit, Rama është shprehur i vendosur se nuk do e anulojë.
Kreu i qeverisë madje është shprehur se zhvilluesit e projektit do të “mahnitin” opinionin publik me projektin në muajt në vijim dhe se pjesë të resortit mund të hapen për publikun para fundit të dekadës.
“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta bëjmë, dhe do të jemi krenarë që kontribuojmë në Europë,” tha Rama gjatë intervistës në zyrën e tij, disa metra larg zonës ku zhvillohen protesta të përnatshme kundër projektit.
“Unë jam votuar për t’i bërë këto gjëra realitet. Nuk jam votuar që të udhëhiqem nga njerëz që kanë një ide tjetër për zhvillimin e vendit,” shtoi ai.
Edhe këtë të hënën në mbrëmje, mijëra qytetarë u mblodhën sërish në rrugët e Tiranës, duke kërkuar ndalimin e projektit, por edhe duke shprehur pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisjes 13-vjeçare të Ramës, të cilën e akuzojnë për mosluftim të korrupsionit dhe mungesë përmirësimi të shërbimeve bazë.
“Po bëhemi gjithnjë e më shumë dhe do të jemi këtu derisa ai të japë dorëheqjen. Jo vetëm për biodiversitetin, por për çdo padrejtësi që përballemi,” tha studenti Albano Lushi.
“ËNDRRAT E MËDHA PËRBALLË KONTESTIMIT”
Rama, 61 vjeç, ish-basketbollist dhe artist, që ka marrë detyrën në vitin 2013 dhe synon integrimin e Shqipërisë në BE, e paraqet veten si njeriu që ka udhëhequr modernizimin e një vendi që ka dalë nga dekada izolimi nën diktaturën komuniste, shkruan Reuters.
Ai kultivon një stil informal, shpesh i veshur me kostum të zi të lirshëm, bluzë të zezë dhe atlete të bardha. Zyra e tij ngjan me një hapësirë bashkëpunimi urban, me mure të mbuluara nga piktura të tij shumëngjyrëshe. Në tavolinë gjenden lapsa dhe markera, ndërsa ambienti është i mbushur me skica dhe shënime.
Projekti i resortit është ide e Jared Kushner dhe bashkëshortes së tij Ivanka Trump, të cilët kanë deklaruar se janë dashuruar me Shqipërinë gjatë një vizite disa vite më parë me jaht. Rama tha se i ka takuar gjatë asaj vizite dhe i ka konsideruar “shumë njerëz të mirë, të thjeshtë dhe njerëzorë”.
Sot, kompania investuese e Kushner, Affinity Partners, është e përfshirë në projektin me vlerë rreth 1.4 miliardë euro (1.6 miliardë dollarë) pranë zonës së mbrojtur Vjosa–Nartë, si edhe në një tjetër projekt në ishullin e Sazanit. Së bashku, këto investime arrijnë deri në 5 miliardë euro, sipas Ramës, ka transmetuar Panorama.
“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë kanë hasur kundërshti,” tha ai.
Affinity Partners dhe Kushner nuk kanë dhënë koment për kërkesat e Reuters. Ndërsa kompania Sazan Real Estate Development LLC, që po zhvillon projektet, ka deklaruar se do t’i realizojë ato në mënyrë të përgjegjshme.
PROTESTA DHE PREMTIME PËR MBROJTJEN E NATYRËS
Protestat nisën në fund të majit, kur zona pranë Vjosa–Nartë u rrethua me tela me gjemba, në kuadër të punimeve për një rrugë aksesimi dhe përgatitjeve paraprake. Gjatë përplasjeve me rojet private, disa protestues u plagosën. Më pas, pakënaqësia u përhap edhe në Tiranë. Më vonë, rrethimi u hoq. Rama e cilësoi vendosjen e tij si një “ide e turpshme”.
Megjithatë, ai minimizoi shqetësimet mjedisore, duke thënë se vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk është përfunduar dhe do të realizohet paralelisht me zhvillimet e projektit.
“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për faunën në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka arsye të dyshojë në vullnetin tonë të fortë për të mbrojtur gjithçka që duhet mbrojtur kur bëhet fjalë për jetën e egër dhe natyrën,” tha Rama./REUTERS
