Të fundit

Kush do ta formojë qeverinë? Partitë politike japin sinjalet e para

Kosova po hyn në një fazë të re politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat prodhuan sërish një fitues, por jo një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti doli forca e parë me rreth 43 për qind të votave, ndërsa PDK u rendit e dyta me rreth 21 për qind, LDK e treta me 18 për qind dhe AAK-ja me mbi 7%.

Megjithatë, shifrat zgjedhore nuk e kanë zgjidhur ngërçin politik që ka përcjellë vendin muajt e fundit, pasi asnjëra palë nuk i ka votat e nevojshme për të formuar e vetme institucionet e reja.

“Front Online” ka kontaktuar disa nga akterët e partive politike për të mësuar qëndrimet rreth formimit të qeverisë së re dhe koalicioneve të mundshme mes pozitës dhe opozitës.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti ka folur lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me partitë opozitare pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas tij, LVV-ja mbetet e hapur për bashkëpunim edhe pas zgjedhjeve.

“Besoj që vlen ashtu siç ka qenë edhe në mandatin e kaluar, LVV ju ka bërë ftesë e LDK edhe bashkëqeverisje dhe ju ka kërkuar që të propozojnë emër për president por dëshira e tyre ishte të shkojmë në zgjedhje ato nuk prodhuan asnjë rezultat ndryshe”, ka thënë Haliti.

Ai ka thënë se do t’ju ofrojnë partive opozitare mundësinë për të propozuar kandidat për president.

“LVV do të ofrojë mundësinë që partitë opozitare të propozojnë emra për president dhe ne do të jemi të gatshëm ta mbështesim”, u shpreh Haliti.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se është ende herët për të diskutuar zhvillimet dhe skenarët politike pas zgjedhjeve.

E pyetur për mundësitë e bashkëpunimeve politike me Lëvizjen Vetëvendosje, Musliu-Shoshi ka thënë se fillimisht duhet të priten rezultatet e përgjithshme.

“Është herët të bisedojmë le të presim se çka po bëhet pas rezultateve të përgjithshme”, ka thënë shkurt Musliu-Shoshi.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të  Kosovës, Alban Zogaj ka thënë se partia ende nuk ka marrë vendime pas zgjedhjeve të 7 qershorit për hapat e ardhshëm politikë.

Zogaj ka thënë se fillimisht duhet të përfundojë numërimi i votave dhe më pas certifikimi i rezultateve.

“Ne po presim që të përfundojë numërimi i votave. Pas numërimit vjen certifikimi i zgjedhjeve dhe akoma nuk jemi mbledhur për këto qëndrime, por kur ta mbledhim kryesinë do t’i bëjmë të qarta vendimet tona”, ka deklaruar ai.

Ish-deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka deklaruar se partia ende nuk ka një qëndrim përfundimtar lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se deri më tani partia vazhdon t’u qëndrojë parimeve të saj politike, duke konsideruar të nevojshme formimin e një qeverie nga partitë opozitare.

“Nuk kemi qëndrim për momentin. Po presim rezultatet zgjedhore dhe certifikimin e zgjedhjeve, e më pas bashkë me Ardian Gjinin dhe kryesinë do të marrim një vendim. AAK deri tani ju qëndron parimeve për një qeveri të opozitës kjo është mëse e domosdoshme”, ka thënë Kadrijaj.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci