Forumi Kombëtar Serb (SNF) nga Graçanica, i udhëhequr nga ish-guvernatori i Kosovës, i vendosur nga krimineli i luftës Millosheviq, Momçillo Trajkoviq, pretendon se paralajmërimi i Komunës së Obiliqit se më 15 qershor do të organizojë një përkujtim në Gazimestan, “përbën shtypje të identitetit historik, kulturor dhe fetar të komunitetit serb dhe krijon tek ai ndjenjë pasigurie dhe kërcënimi”, transmeton Paparaci.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të gjithë akterëve relevantë që me vëmendje të veçantë të ndjekin aktivitetet që mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, pretendohet në deklaratën e SNF-së.
Po ashtu, në SNF thonë se: “Paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohen duke mohuar ose përvetësuar identitetin e tjetrit, por vetëm përmes respektit të ndërsjellë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e fetare të të gjithë popujve që jetojnë në këto hapësira”.
Komuna e Obiliqit, këtë vit po organizon përkujtim në Gazimestan më 15 qershor, ditë në të cilën, në vitin 1389, u zhvillua Beteja e Kosovës, sipas kalendarit të vjetër që përdor Kisha Ortodokse Serbe, raportuan mediat./Paparaci.com
