Të fundit

Dosja “Black Eagle”, autoritetet belge: Hamzai drejtonte rrjetin, Artur Shehu dhe Indrit Kulaj në qendër të komunikimeve për trafikun e kokainës

Detaje të tjera nga dosja hetimore “Black Eagle”, e administruar nga autoritetet belge dhe tashmë pjesë e hetimit të SPAK, hedhin dritë mbi strukturën e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës që vepronte në disa shtete europiane dhe në Amerikën Latine. Sipas materialeve të dërguara nga Belgjika, hetuesit kanë identifikuar Alfredo Hamzain si një nga figurat drejtuese të organizatës, ndërsa në komunikimet e përgjuara dalin vazhdimisht emrat e shtetasit shqiptar Indrit Kulaj dhe personave të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit.

Sipas vendimit gjyqësor belg të cituar në dosje, organizata funksiononte mbi bazën e një ndarjeje të qartë rolesh, duke përfshirë furnizimin me kokainë, menaxhimin e laboratorëve për përpunimin e saj, transportin, shpërndarjen dhe pastrimin e fitimeve. Hetuesit belgë referojnë se gjatë kontrolleve të zhvilluara në vitin 2020 janë zbuluar laboratorë, produkte kimike për përpunimin e kokainës, sasi të konsiderueshme droge, si dhe pajisje industriale për paketimin e saj.

Në dokumente përshkruhet gjithashtu se Indrit Kulaj rezulton në komunikime të shumta me Alfredo Hamzain përmes platformave të koduara. Autoritetet belge pretendojnë se gjatë periudhës tetor 2020 – mars 2021 janë evidentuar qindra kontakte që lidhen me krijimin e linjave të reja të importimit të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, përmes porteve dhe rrjeteve logjistike të kontrolluara nga organizata.

Një nga episodet e përshkruara në dosje lidhet me kontrollin e ushtruar në adresën e një kompanie në Belgjikë, ku sipas hetuesve u gjetën para cash, kilogramë kokainë, pajisje për fshehjen e telefonave celularë, si dhe sende luksi. Dokumentet referojnë se gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu ora të shtrenjta, bizhuteri dhe shuma të konsiderueshme parash që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Në pjesën që trajton pastrimin e parave, autoritetet belge rendisin një sërë pasurish dhe investimesh që dyshohet se janë financuar me të ardhura nga trafiku i narkotikëve. Mes tyre përmenden para cash të fshehura në banesa dhe automjete, ora luksoze Rolex, diamante, automjete të shtrenjta, si dhe investime në Shqipëri.

Dosja përmend konkretisht edhe një bar-restorant-klub në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, me sipërfaqe rreth 9.944 metra katrorë, si pjesë e pasurive që janë verifikuar nga autoritetet në kuadër të hetimit financiar. Hetuesit po analizojnë gjithashtu lidhjet e mundshme mes personave nën hetim dhe aktiviteteve ekonomike në Shqipëri, në përpjekje për të identifikuar rrugën e parave dhe asetet e krijuara nga fitimet e dyshuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Sipas dokumenteve të referuara në dosje, autoritetet belge e konsiderojnë Alfredo Hamzain një nga drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale, me rol koordinues në faza të ndryshme të importimit, transportit, ruajtjes, përpunimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndërsa hetimet për rrjetin dhe pasuritë e lidhura me të vijojnë si në Belgjikë ashtu edhe në Shqipëri.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci