Marrëveshja e mundshme mes ShBA-së dhe Iranit po rrezikon të komplikohet edhe më tej, pasi Libani mbetet një nga pengesat kryesore në negociata, sipas BBC-së.
Irani kërkon që çdo armëpushim të përfshijë edhe ndaljen e luftës në Liban, ku Izraeli po zhvillon operacione kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Teherani. Kjo kërkesë është refuzuar nga Izraeli, i cili e konsideron konfliktin me Hezbollahun të ndarë nga ai me Iranin.
Sulmi i fundit izraelit në periferitë jugore të Bejrutit, ku Hezbollah ka bazën, shihet si një zhvillim që mund ta vështirësojë edhe më shumë arritjen e marrëveshjes. Izraeli tha se sulmi ishte përgjigje ndaj sulmeve të Hezbollahut në veri të vendit.
Teksti i plotë i marrëveshjes ende nuk është publikuar dhe nuk dihet nëse të gjitha kushtet janë pranuar nga të dyja palët. Megjithatë, në Izrael po rriten shqetësimet se marrëveshja nuk i përmbush objektivat e vendit.
