Këshilli Prokurorial i Kosovës, përbërja e të cilit është ndryshuar pas reformave të mbështetura nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, po vazhdon një qasje të ashpër ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Kjo qasje shihet në mënyrën se si KPK trajton propozimet e tij, përfshirë edhe rastin e fundit në mbledhjen e së hënës, ku një emërim i propozuar nga Isufaj u refuzua për shkak të një formaliteti procedural.
Propozimi u refuzua pasi kërkesa ishte dorëzuar përmes administratorit të Gjykatës dhe jo drejtpërdrejt nga Isufaj.
Në këtë rast, propozimi i Isufajt ishte emri i Habibe Salihut për caktimin e saj si udhëheqëse të Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar.
Megjithatë, anëtarët e KPK-së nuk e pranuan propozimin për shkak se kërkesa “është dorëzuar” në mënyrë të parregullt.
Katër anëtarë të KPK-së votuan kundër propozimit.
“Nuk e kam problem emrin e të propozuarës, por problem e kam formën sesi është dorëzuar kërkesa”, tha Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial.
Ndërsa, prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi tha se nuk e sheh si problematik formën e propozimit.
“Nuk desha të flasë fare për këtë pikë. Sa i përket mënyrës së komunikimit, secili e zgjedh mënyrën sesi komunikon. Po ashtu, bartësit e institucioneve të ndryshme mund t’i autorizojnë formalisht bashkëpunëtorët e tyre që të komunikojnë me trupat e tjerë”, tha Krasniqi.
“Kështu që, si të doni, është në dorën e Këshillit sesi vendos”, përfundoi ai.
Qëndrim të ashpër kundër Blerim Isufajt, në linjë me të cilin po qëndron edhe KPK-ja, ka mbajtur kryeministri Albin Kurti, i cili e ka luftuar Kryeprokurorin e Speciales në çdo formë. Kurti, në një deklaratë këtë vit u zotua se nuk do ta lejojë Isufajn të bëhej Kryeprokuror i Shtetit.

