Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) synon që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës jashtë Kosovës të përfundojë në mesjavë, ndërsa më pas do të nisë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se gjatë fundjavës është realizuar një pjesë e konsiderueshme e procesit të numërimit të votave të ardhura me postë.
“Gjatë dy ditëve të fundjavës, janë numëruar 80 nga 223 kuti votimi ku janë sistemuar pakot e supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për 36% të këtyre kutive dhe sipas këtij progresi, synojmë që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përMes postës të përmbyllet në mesjavë”, tha ai.
Elezi njoftoi se nga gjithsej 85,790 pako të tërhequra nga kutitë postare, në procesin e numërimit do të përfshihen mbi 82 mijë zarfe, ndërsa një pjesë janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
“Në përgjithësi, nga 85,790 pako të tërhequra nga 23 kutitë postare, në procesin e numërimit do të përfshihen 82,809 pako të supozuara me fletëvotime. Vetëm pasi të hapet zarfi të hapet nga ekipet e numërimit, do të dihet me saktësi nëse brenda zarfeve është fletëvotimi dhe nëse është vlefshëm. Ndërkaq, në numërim nuk do të përfshihen 2,981 zarfe, të cilat janë refuzuar, sepse nuk e kanë kaluar verifikimin, pasi shumica prej tyre nuk kishin dëftesën e regjistrimit, një dokument që secili votues i regjistruar e pranon nga KQZ dhe me të cilin dëshmohet se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar”, tha ai.
Ai shtoi se paralelisht me përfundimin e këtij procesi po bëhen përgatitjet për numërimin e votave me kusht dhe atyre të votuesve me nevoja të veçanta.
“Derisa të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues”, tha ai.
Duke folur për procesin e rinumërimit, Elezi tha se KQZ-ja do të vendosë për rinumërimin e deri në 10 për qind të vendvotimeve të rregullta, pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave të mbetura.
“Sa i përket çështjes së rinumërimit. Në vazhdim të procesit, KQZ do të vendosë për rinumërimin deri në 10% të vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në 38 Qendrat Komunale të Numërimit. Ky rinumërim do të bëhet në fund të numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i kanë mbetur të numërohen. Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet të fundit parlamentare”, tha ai.
