Vendimi për mënyrën e transmetimit të Kampionatit Botëror 2026 ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët në vend.
Ata kanë shprehur pakënaqësi duke thënë se nuk është gjë e mirë që Radio Televizioni i Kosovës (RTK), nuk po i transmeton të gjitha ndeshjet.
Sipas tyre, Kampionati Botëror është ngjarja më e rëndësishme sportive dhe duhet të transmetohen të gjitha ndeshjet.
Qytetari Hetem Selmani, tha se nuk e di arsyen e mostransmetimit, duke shtuar se të njëjtat duhet të shfaqen edhe në RTK.
“Sipas mendimit tim, pse nuk transmetohen lojërat e Kampionatit Botëror në futboll, në RTK, nuk e di, ka interesim ndoshta dikush për ndonjë pagesë, apo interesa të veta diçka, po më mirë do të kishte qenë transmetimi në televizion, ta shikojmë të gjithë, mirëpo arsyen e saktë nuk e di as unë”, tha Selmani.
Kurse, qytetari tjetër Selim Limani, kërkoi të dijë se nga kush janë marrë këto vendime për mostransmetim të ndeshjeve të Kampionatit Botëror.
“Lojërat tona s’po i tregojnë, e të huajat po, unë mbrëmë e kam shikuar Gjermaninë, kjo ka qenë gjithmonë, këtu në Kosovë, se unë nuk jetoj këtu, pasi që nuk jetoj këtu, s’muj me i shiku, i shikoj jashtë, i shikoj kryesoret, botërore dhe të Evropës, këto i shikoj, përpara i kam shikuar, kam luajtur edhe vetë, por tash mosha po e bëjka të veten. Të gjitha s’po transmetohen, s’po mundemi me i pa. Unë nuk e shoh të arsyeshme pse nuk i tregojnë, normal prej dikujt këto duhet të paguhen, prej kujt i blejmë, prej kujt i marrim drejtpërdrejtë, por këta s’po i tregojnë, s’kam çka them tjetër”, tha Limani për EO.
Ndërsa, qytetari tjetër Qenan Bulliqi për EO, tha se Qeveria po bën çka po dëshiron.
“Pse na vet i kemi fajet që i paguajmë tatimet, paguaje tatimin e shtetit edhe prapë si jepin, qa me ju bë, Qeveria e ka monopolin qysh po don po ia bën”, tha ai Bulliqi.
E, qytetari Reshat Salihu tha se Kampionati Botëror është ngjarja më e madhe sportive dhe se duhet transmetuar patjetër për shkak të njerëzve sportdashës.
“Kampionati Botëror është manifestimi më i madh sportiv pas olimpiadës dihet, por kjo duhet të transmetohet, krejt rruzulli tokësor mezi presin kur fillojnë turnamentet siç është evropiani, botërori, këta RTK nuk e di pse nuk e transmetojnë, thojnë televizion publik, në qoftë se je televizion publik duhesh me i transmetu, me i qitë këto kampionate, sepse populli ka qejf me u argëtu, ajo është argëtim, sporti më masovik, futbolli dhe këtë nuk e transmetojnë nuk e di arsyen, këtu kumedit nashta është ndonjë xhelozi apo kumedit çka është në pyetje, bëjnë konkurencë me këto televizionet private që janë, kështu që duhet me u transmetu patjetër, kjo është manifestim shumë i madh, mezi presin njerëzit, relaksohen sidomos orët e vona natën qohen, kqyrin futboll këta nuk e transmetojnë, u çudita dje bile prita qato që ke në ora nëntë, nuk e dhanë copa copa, dilke kjo gazetarja këta bëjnë analista, bëjnë thirrje edhe analistat anti-sportista nuk e di kush janë ata analista, ata s’kanë lidhje me sport, mas pari nuk e dinë çka është olimpiada, është manifestim evropian, botëror, unë për vete e di që manifestimi më i madh është kampionati botëror, këtë duhet me dhënë patjetër”, tha Salihu.
