Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës së funksionimit të Komisionit i Pavarur i Mediave, duke vlerësuar se vendimmarrja e institucionit po krijon përshtypjen e njëanshmërisë në trajtimin e ankesave dhe në shqiptimin e gjobave ndaj mediave.
Në një deklaratë të mbrëmshme në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Kusari tha se dënimet financiare të vendosura nga KPM-ja po duken që merren, sipas saj, me tahmin.
“Dënimet janë me tahmin. ‘Ai ka thënë pak qashtu, jo katër mijë për besë njëri thotë janë shumë, hajt tre mijë’, dhe jepet një dënim financiar me tahmin”, deklaroi ajo.
Kusari ngriti shqetësime edhe për përbërjen aktuale të Komisionit, duke theksuar se pritjet kanë qenë që ky institucion të luante një rol më të fuqishëm në mbrojtjen e mediave dhe garantimin e pluralizmit mediatik.
“Çka po du me thënë me përbërjen aktuale të Komisionit të cilët janë aty në një kontekst kur liria e shprehjes në Kosovë në shtatë vitet e fundit ka qenë në sulm të paprecedentë. Ne kemi prit që ka me ardh një përbërje që do të sigurohej së pari të mbronte mediat nga pushtetit dhe të garantonte pluralizmin e mediave. Dhe ajo që shohim ne është shumë alarmuese”, u shpreh juristja.
