Demokraci Plus (D+) kërkon nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) anulimin e procedurës së prokurimit, në vlerë prej 480,000 euro, e cila parasheh angazhimin e 20 ekspertëve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), apo siç njihen ndryshe “kontrata mbi vepër”.
Sipas dosjes së tenderit me numër 210-26-4238-2-1-1, ekspertët janë të ndarë në nëntë (9) lote dhe parashihen të angazhohen për një periudhë deri në 24 muaj, me orar të plotë pune (40 orë në javë).
Detyrat e përcaktuara për këto pozita përfshijnë administrim dokumentacioni, koordinim institucional, organizim takimesh, hartim raportesh, komunikim publik dhe mbështetje teknike administrative, si dhe detyra të tjera të ngjashme të punës së përditshme institucionale. Këto funksione nuk përbëjnë shërbime të veçanta profesionale që kërkojnë kontraktim të jashtëm përmes MShV-ve.
Rregullorja Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik (neni 57.2) përcakton se kontraktorët individualë mund të angazhohen vetëm për ekspertizë specifike që nuk mund të sigurohet përmes procedurave të rregullta të rekrutimit në administratën publike. Në këtë rast, natyra e detyrave të përcaktuara nuk ka të bëjë me ekspertizë specifike, por mbulim të funksioneve të përhershme teknike-administrative.
Duke pasur parasysh këto, D+ i bën thirrje MMPH-së që të anulojë këtë procedurë të prokurimit. Kontraktimi përmes legjislacionit të prokurimit publik, në formën e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), nuk duhet të shërbejë si zëvendësim i rekrutimit të rregullt të personelit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Deklaratë mohuese: Ky reagim është publikuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e Demokraci Plus (D+) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Projekti “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe efiçiencës në shpenzimin e parasë publike përmes prokurimit publik në Kosovë” i financuar nga BE, zbatohet nga D+.
