Një person është arrestuar në Gjakovë, nën dyshimin për përfshirje në disa raste të veprave penale kundër pasurisë.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari me inicialet B.K., është përfshirë në pesë raste të vjedhjeve të rënda dhe në dy raste të tjera të vjedhjes.
Rastet thuhet se kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe depërtim me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të Gjakovës, ku objekt i vjedhjes kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.
“Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, në ballafaqim me provat e siguruara, i njëjti ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale”, thuhet në njoftimin policor.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
