Të fundit

“Zgjoi” i Bashollit ndez projektorët e kinemave në Kosovë, dy muaj para shansit historik për “Oscar”

Një grua e fuqishme, e cila duke i bërë ballë dhimbjes, paragjykimeve e mentalitetit patriarkal, ngritet dhe bëhet njëra ndër figurat më inspiruese, jo vetëm në vend, por edhe në botë.

Fahrije Hoti, historia e së cilës tash e sa kohë ka zënë vend në skenat më prestigjioze botërore përmes filmit “Zgjoi” të regjisores Blerta Basholli, i cili do të shfaqet kësaj radhe për pubikun kosovarë në “Cineplexx”.

Dje, në një konferencë për media ishin të pranishëm regjisorja Blerta Basholli, aktorja Yllka Gashi si dhe producentët Yll Uka dhe Valon Bajgora, ku u shtjelluan detajisht rrugëtimi i filmit dhe pritshmëria e tyre për nominimin në “Zgjoi-t” në Oscars.

Ishte Yllka Gashi, aktorja e cila e portretizoi dhe e jetësoi figurën e Fahrije Hotit në këtë film, histori e cila rrëmbeu vëmendjen e botës.

”Ka qenë e vështirë si çdo projekt tjetër që është i vështirë kur e merr me seriozitet, por fatmirësisht unë kam qenë e involvuar në këtë projekt që nga viti 2011 kur Blerta e ka pasur idenë për këtë projekt dhe kam jetu një kohë të gjatë me dëshirën me lu zonjën Fahrije, mandej kur e kemi fillu punën konkrete me prova e me biseda të gjata e shumë intime me Blertën në lidhje me qysh dojmë me ndërtu këtë personazh edhe qysh dojmë dhimbjen e saj me pasqyru në film, ka qenë pak e lodhshme emocionalisht me e mbajtë gjithmonë ndjenjën e dhimbjes e ndjenën e pasigurisë që e ka me burrin e pagjetur, megjithatë me një regjisore të mirë si Blerta e me udhëzimet që m’i ka dhënë besoj që kemi arritë me ba një punë të mirë”, theksoi Gashi.

Gashi, po ashtu ka treguar se zonja Fahrije është shembull shumë i mirë për të gjitha gratë e Krushës dhe inspirim për Gashin dhe gjithë ekipin e filmit .

”Mesazhi i këtij filmi shkon në atë se sado jeta të jetë e vështirë, gjithmonë mundesh me triumfu dhe se ia vlen me luftu për me mbërri një të ardhme më të mirë”, deklaroi tutje Gashi.

Regjisorja Basholli, sa i përket nominimit potencial për në Oscars,theksoi se është një garë tejet e madhe dhe e vështirë, dhe se për t’u arritur një nominim i tillë duhet të bëhet një kampanjë shumë e madhe për filmin.

“Po konkurojmë me shtete e regjisor që kanë marrë Oscar disa herë, ata kanë buxhete shumë më të mëdha se na, ekipe më të mëdha se na. Mirëpo, pas Sundance e kemi formuar një ekip shumë të mirë në Amerikë dhe jemi duke punuar sikur nominimi të ishte i garantuar dhe mendoj se kemi shanca shumë të mira drejt Oscarit pikërisht për shkak të Sundance”, theksoi tutje Basholli.

Ndër të tjera, Basholli ka treguar se “Zgjoi” tashmë është fitues i 12-të çmimeve në botë. Ajo shpreson që ky film të ngre diskutim rreth çështjes gjinore e patriarkale në botë.

”Nuk jam pesimiste por jam shumë realiste dhe e di se në nëntor e kemi një garë shumë të vështirë para vetes dhe na pret shumë punë. Shpresoj që filmi të ngritë edhe një diskutim rreth çështjeve gjinore, rreth patriarkatit dhe e di që vetëm një film nuk mjafton mirëpo edhe Fahrija kur ka fillu me biznesin e saj, edhe ajo ka mendu që nuk ka bë shumë por ka bë më shumë se shumë, ka bë më shumë se një kampanjë e vetëdijësimit”, thekson tutje Basholli.

”Kampanjën e kemi filluar një muaj më herët, kampanjës ka me i parapri edhe shfaqja e filmit në kinema, që së pari do të shfaqet në New York më 5 nëntor të këtij viti e pastaj edhe në LA e më pas edhe në 15-të shtete tjera të Amerikës”, tregon producenti Yll Uka. Ai po ashtu ka bërë të ditur se janë duke punuar edhe për promovimin e filmit për “Oscars”, “EFA”,”BAFTA” e çmime të tjera të rëndësishme në kinematografinë botërore.

Ndërsa, sa i përket financimit të filmit për në “Oscars”, Uka ka treguar se janë në bisedime me MKRS-në dhe se këta të fundit janë duke u konsultuar edhe me institucione të tjera, që jo vetëm kësaj radhe, por njëherë e përgjithmonë të rregullohet buxheti për promovimin e filmave nga Kosova në botë.

Uka shtoi se në kampanjën e “Zgjoi-t” në Amerikë është duke punuar me një ekip tejet profesional, ku vecoi njërin nga publicistët i cili kishe punuar në kampanjën e filmit tashmë të famshëm “Parasite”.

Filmi “Zgjoi” filloi të shfaqet për publikun në Kosovë me datën 28 tetor, në “Cineplexx” në Prishtinë dhe Prizren. Kurse producenti Valon Bjagora bëri të ditur se nga data 29 tetor do të shfaqet edhe në “Cinemarinë” në Prizren, më pastaj “Zgjoi” do të shfaqet edhe në Shqipëri e Maqedoni.

Zgjoi”, përcjell historinë e Fahrije Hotit e cila është në kërkim të burrit të saj të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Blerta Basholli është regjisore e “Zgjoi-t”, me producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën. Në rolin kryesor luan aktorja Yllka Gashi,dhe në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Blerta Ismaili, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

“Zgjoi” është bashkëprodhim në mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci