Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një detyrim politik për bashkëpunim ndërmjet partive, në mënyrë që të formohen institucionet e reja të vendit.
Haziri tha se rendi kushtetues dhe fryma e Kushtetutës kërkojnë bashkëpunim politik, duke vlerësuar se asnjë subjekt nuk ka marrë mandat të mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm, apo për të bllokuar proceset.
“Nëse nuk e bëjmë një rend, nëse nuk e respektojmë një rend kushtetues, nëse nuk e besojmë që vullneti politik i qytetarëve për herë të tretë nuk i ka dhënë askujt shumë dhe nuk i ka dhënë askujt mundësi me pengu, me blloku, kërkon bashkëpunim”, deklaroi ai.
Ai theksoi se modeli i demokracisë parlamentare në Kosovë kërkon ndërtimin e institucioneve përmes bashkëpunimit politik.
“Vota qytetare konfirmon detyrim në bashkëpunim, nuk duhet të kemi politikë në raport me demokracinë parlamentare që ne e kemi zgjedhur, e kemi pjesë të sistemit politik, të jetës edhe të organizimit tonë dhe duhet ta respektojmë. Fryma jonë kushtetuese kërkon bashkëpunim, ne kemi vendosur shpirt Kushtetutës bashkëpunimin si çelës të ndërtimit të institucioneve”, tha Haziri.
Nënkryetari i LDK-së shtoi se, po të kishte dalë LDK-ja partia e parë në zgjedhje, ftesat për bashkëpunim institucional do të ishin bërë menjëherë pas zgjedhjeve.
“Përfundimisht duhet të vlejë parimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ajo që quhet marrëveshje në pako, në parimin që nëse nuk ka marrëveshje nuk vlen asgjë, sepse kjo e prodhon këtë. Çdo ditë që presim është vonë. Me pas dalë LDK-ja parti e parë, ne me të 8-tin në mëngjes do t’i kishim ftuar palët për me ndërtu bashkëpunim institucional, nuk ke çka pret”, tha ai.
