Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka gjetur shkelje gjatë vendimmarrjes në Senatin e Universitetit të Prishtinës, për ta sanksionuar profesorin Enver Hasani. Kjo agjenci e ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të vendimit të Këshillit të Etikës dhe ka kërkuar nga Senati i UP-së kthimin e çështjes në rishqyrtim të plotë.
Sipas Antikorrupsionit, përbën konflikt interesi pjesëmarrja e rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu dhe dekanit të Juridikut, Avni Puka, në mbledhjen e 20 shkurtit, në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi i Këshillit të Etikës që Hasanit i shqipton vërejtje me shkrim edhe ia ndalon për një vit përfshirjen në mentorim në të gjitha nivelet e studimit, raporton Koha.
“Nga administrimi i provave materiale në këtë procedurë (procesverbali dhe audio-incizimi i mbledhjes së Senatit të UP-së), si dhe nga deklaratat e palëve dhe pretendimet e raportuesit të rastit, rezulton se z. Arben Hajrullahu dhe z. Avni Puka, edhe pse kanë deklaruar konfliktin e interesit dhe nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit të vendimit të Këshillit të Etikës, të datës 14.07.2025, të njëjtët kanë qenë të pranishëm (prezentë), në mbledhjen e Senatit gjatë shqyrtimit dhe votimit të vendimit të Këshillit të Etikës të datës 14.07.2025, pa u larguar nga mbledhja në kohën e vendimmarrjes”, thuhet në vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Në vendim përmenden raste të hapura që profesori Hasani ka me rektorin Hajrullahu dhe dekanin Puka. Ndaj Hajrullahut ka ngritur padi, ndërkaq Puka e ka denoncuar Hasanin për shkelje, pasi ai ia ka kontestuar një doktoratë dekanit.
Sipas Agjencisë, do të duhej që të dy, të largoheshin fizikisht nga mbledhja e Senatit, kur është vendosur për Hasanin.
“Z. Arben Hajrullahu dhe z. Avni Puka, përveç vetë përjashtimit nga diskutimi dhe votimi, është dashur të përjashtoheshin tërësisht nga trajtimi i kësaj çështjeje, përfshirë edhe largimin fizik nga mbledhja e Senatit, gjatë votimit të vendimit të Këshillit të Etikës, me qëllim të garantimit të paanshmërisë së procesit, ruajtjen e integritetit të procesit vendimmarrës dhe forcimin e besimit të publikut në institucion, në zbatim të detyrimit ligjor për menaxhimin dhe zgjedhjen e çdo situate apo rrethane të konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, me prezencën e tyre në sallë, nuk është menaxhuar si duhet situata e evitimit të konfliktit të interesit.
Lidhur me vendimin e Antikorrupsionit, KOHA u ka dërguar pyetje rektorit Hajrullahu dhe dekanit Puka, por nuk ka marrë përgjigje.
Vendimi për ta sanksionuar ish-rektorin Hasani ka kaluar edhe në Këshillin Drejtues të UP-së, pavarësisht se rasti i konfliktit të interesit ka qenë duke u shqyrtuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Në gusht të 2024-s, dekani i Juridikut e pati denoncuar për mashtrim ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Puka pretendonte që Hasani nuk i ka mbajtur orët për të cilat është paguar gjatë vitit akademik 2023-2024. Po ashtu, ai pretendonte se Hasani i ka marrë titujt akademikë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos respektuar kohëzgjatjen e titujve paraprakë sipas Statutit.
E një vit më herët, Enver Hasani me një letër e kishte denoncuar Pukën duke thënë se ai ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali.
Rasti ndaj Hasanit u përcoll me përplasje të tjera brenda UP-së.
