Seriali thriller “The Agency”, i cili transmetohet në Paramount+, po rikthehet me sezonin e dytë. Prodhimi bazohet në dramën franceze “The Bureau” dhe ndjek agjentët e CIA-s që kryejnë misione të fshehta duke përdorur identitete të rreme. Historia përqendrohet jo vetëm te rreziqet e spiunazhit, por edhe te kostoja psikologjike e një jete të ndërtuar mbi gënjeshtra. Në rolet kryesore shfaqen Michael Fassbender, Richard Gere dhe Katherine Waterston.
Fassbender luan rolin e Martianit, një agjent veteran që përballet me pasojat e sakrificave të bëra gjatë punës së tij. Aktori thotë se seriali trajton izolimin, vetminë dhe kompromiset morale që lindin kur një person duhet ta fshehë identitetin e vërtetë për një kohë të gjatë. Sipas tij, sezoni i dytë sjell më shumë aksion se i pari, por vazhdon ta ruajë tensionin dhe ankthin e brendshëm të personazheve.
Katherine Waterston, e cila luan rolin e Naomi-t, thotë se temat e besimit dhe të së vërtetës janë bërë edhe më të ndjeshme në kohën e inteligjencës artificiale. Ajo shpreh shqetësimin se teknologjia po e vështirëson dallimin mes informacionit të saktë dhe atij të rremë, prandaj kërkon rregulla më të qarta dhe masa më të forta mbrojtëse. Fassbender shton se edhe ai është ndeshur me dezinformim në internet dhe se verifikimi i fakteve është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm.
Aktorët pranojnë se vetë nuk do të ishin spiunë të mirë. Sipas tyre, ky profesion kërkon sakrifica të mëdha personale dhe mund t’i dëmtojë marrëdhëniet dhe ndjenjën e identitetit. Fassbender vëren se mbajtja për një kohë të gjatë e një identiteti të rremë mund ta bëjë një person të humbasë lidhjen me veten e tij të vërtetë.
Sezoni i dytë i serialit “The Agency” do të jetë i disponueshëm në Paramount+ nga 21 qershori.
