Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka rizgjedhur Delphine Ernotte Cunci, e cila është drejtoreshë ekzekutive e France Télévisions, në postin e presidentes për një mandat tjetër dyvjeçar. Po ashtu, Cilla Benkö, drejtoreshë e përgjithshme e Radio Sweden, është rizgjedhur në postin e zëvendëspresidentes së organizatës.
Krahas kësaj, bordi ekzekutiv i EBU-së ka zgjedhur tre anëtarë të rinj: Rhodri Talfan Davies nga BBC (Mbretëria e Bashkuar), Yannis Papadopoulos nga ERT (Greqia) dhe Susanne Wille nga SRG SSR (Zvicra). Këta anëtarë do të shërbejnë në bordin prej 11 anëtarësh deri në fund të vitit 2026, kur do të mbahen zgjedhjet e radhës për anëtarët e bordit gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së.
EBU është një aleancë e organizatave të mediave të shërbimit publik me fokus në Evropë, e cila ndër të tjera organizon çdo vit Konkursin e Këngës Eurovision. Ernotte Cunci, e cila mban postin e drejtores ekzekutive të France Télévisions që nga viti 2015, shërben si presidente e EBU-së që nga viti 2020.
Në një deklaratë, Ernotte Cunci falënderoi anëtarët për besimin e ripërtërirë. Ajo theksoi se ndihet e nderuar që merr këtë mandat në një kohë kur mediat e shërbimit publik janë nën presion, duke shtuar se solidariteti është më i vlefshëm se kurrë. Ajo vlerësoi se pasiguria gjeopolitike e bën sovranitetin e Evropës dhe mbrojtjen e popullatave të saj një prioritet qendror.
Noel Curran, drejtori i përgjithshëm i EBU-së, përshëndeti rizgjedhjen e Ernotte Cunci dhe Benkö, duke i falënderuar për udhëheqjen e tyre në një periudhë kritike për mediat e shërbimit publik. Ai gjithashtu mirëpriti anëtarët e rinj të bordit, duke shprehur besimin se ekspertiza dhe përkushtimi i tyre do të forcojnë bordin në përpjekjet për të mbështetur mediat e shërbimit publik në Evropë dhe më gjerë.
