Të fundit

Microsoft rrit çmimet e konsolave Xbox për shkak të kostove të larta të komponentëve

Microsoft ka njoftuar se konsumatorët do të përballen me çmime më të larta për konsolat e lojërave Xbox, si pasojë e rritjes së kostove të komponentëve. Ky vendim vjen pak orë pasi Apple njoftoi rritje të çmimeve për pajisjet MacBook dhe iPad.

Duke filluar nga 1 gushti, çmimi i konsolës Xbox Series S me 512 GB hapësirë ruajtëse do të rritet për 100 dollarë, duke arritur në rreth 500 dollarë, ndërsa modelet me 1 TB do të kushtojnë 150 dollarë më shumë. Ndërkohë, modeli bazë i Xbox Series X do të fillojë nga rreth 750 dollarë. Microsoft gjithashtu bëri të ditur se modeli Xbox Series X me 2 TB, i prezantuar në vitin 2024, nuk do të jetë më i disponueshëm në treg.

Në një postim në blog, kompania sqaroi se çmimet e memorieve dhe të hapësirës ruajtëse janë rritur për më shumë se 2.5 herë, ndërsa pritet një dyfishim tjetër deri në vjeshtën e vitit 2027. Prodhuesit si Micron dhe SK Hynix kanë kapacitete të kufizuara dhe po i japin përparësi memorieve me gjerësi të lartë për infrastrukturën e inteligjencës artificiale, siç janë njësitë për përpunimin grafik të Nvidia-s.

Microsoft theksoi se industria e elektronikës së konsumit po përballet me një krizë të komponentëve, e cila ndikon veçanërisht te konsolat. Sipas kompanisë, ndryshe nga pajisjet e tjera si telefonat apo kompjuterët, konsolat zakonisht nuk shiten me fitim, por shpesh për një çmim më të ulët se kostoja e prodhimit të tyre.

Kompania kujtoi se në tetorin e kaluar kishte rritur çmimet e konsolave Xbox në SHBA për 20 deri në 70 dollarë, duke shpresuar se nuk do të kishte nevojë për ndërhyrje të tjera. Pas njoftimit të fundit, aksionet e Microsoft-it shënuan rënie prej gati 4%, ndërsa aksionet e Apple ranë për 5%.

Burimi: cnbc.com

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci