Shtetet e Bashkuara po e organizojnë Kupën e Botës 2026 së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, ndërsa kombëtarja e futbollit (USMNT) synon të lërë gjurmë në këtë turne. Me një gjeneratë të talentuar lojtarësh dhe investime të shtuara në sport, ekipi shpreson të arrijë një rezultat historik në shtëpi. Christian Pulisic mbetet figura kryesore e kësaj gjenerate pas paraqitjeve me Milanin, ndërsa Folarin Balogun nga Monaco dhe Weston McKennie nga Juventusi ofrojnë cilësi në sulm dhe mesfushë.
Në aspektin mbrojtës, Chris Richards është shndërruar në një figurë kyçe për kombëtaren pas përvojës së tij te Crystal Palace. Skuadra përfshin gjithashtu lojtarë me përvojë si Tyler Adams dhe Tim Ream, të cilët ofrojnë ekuilibër mes rinisë dhe lidershipit brenda grupit të drejtuar nga trajneri Mauricio Pochettino.
Historikisht, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë fituar kurrë Kupën e Botës. Rezultati më i mirë u arrit në turneun e parë në vitin 1930, kur ekipi u rendit në vendin e tretë. FIFA e njeh këtë arritje, pavarësisht se në atë kohë nuk u zhvillua një ndeshje zyrtare për vendin e tretë. Pas këtij suksesi, kombëtarja kaloi një periudhë të gjatë mungese, duke mos u kualifikuar në turne nga viti 1954 deri në vitin 1986.
Rritja moderne e futbollit amerikan nisi në vitet '90. Pas organizimit të turneut në vitin 1994, ku arritën në 1/16 e finales, performanca më e fortë erdhi në vitin 2002 në Korenë e Jugut dhe Japoni, kur ekipi u kualifikua në çerekfinale. Në atë edicion, SHBA-ja mposhti Meksikën 2-0 përpara se të eliminohej nga Gjermania.
Aktualisht, USMNT ka siguruar kualifikimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026 pas fitores ndaj Australisë. Përpara ndeshjes së fundit të Grupit D kundër Turqisë, vëmendja mbetet te menaxhimi i lojtarëve nga trajneri Pochettino. Për ekipin amerikan, kalimi i fazës çerekfinale do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm përpara në historinë e tyre në këtë kompeticion.
Burimi: worldsoccertalk.com
