Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aleancë e ndërtuar mbi besim, sakrificë dhe vendime të mëdha historike.
Ajo tha se SHBA me mbështetjen dhënë Kosovës gjatë ndërhyrjes së NATO’s e më pas edhe kur mbrojti të drejtën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e vuri në tavolinë kredibilitetin e saj ndërkombëtar, ndërsa sot Kosova po e refuzon projektin e gazit amerikan përkunër që është i dobishëm për vetë qytetarët e saj.
“Kur SHBA udhëhoqën ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, përtej miliardave të shpenzuara, vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre ndërkombëtar. Kur udhëhoqën procesin e njohjeve të Kosovës, përtej angazhimit diplomatik, vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre. Kur mbrojtën të drejtën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përtej ekspertizës dhe kostos politike, sërish vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre. Në çdo moment vendimtar të historisë sonë moderne, Shtetet e Bashkuara ishin në anën e Kosovës. E sot? Ne refuzojmë një projekt energjetik amerikan, një investim që në fund të ditës është në dobi të qytetarëve të Kosovës, të sigurisë sonë energjetike dhe të zhvillimit ekonomik të vendit”, shkroi Çitaku.
Ajo thotë se nuk është çështja vetëm te gazi, por është “çështja e mesazhit që po u dërgojmë aleatëve tanë më të rëndësishëm”.
“Është çështja e mënyrës se si sillemi me miqtë që, sa herë historia na vuri përballë sprovave, nuk na lanë vetëm. Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës. Përkundrazi. Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk është barrë. Është garancia më e madhe strategjike që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës. Dhe si e tillë, duhet të ruhet, të forcohet dhe të konkretizohet me projekte që i shërbejnë interesit të qytetarëve tanë”.
