Në filmin e animuar “Toy Story 5”, publiku është njohur me Blaze Manoukian, një vajzë tetëvjeçare që jeton në një fermë. Personazhi, i cili kujdeset për kafshët dhe shfaqet shpesh me çizme kaubojsh, është përshkruar si vajza e parë me prejardhje të përzier, gjysmë e zezë dhe gjysmë armene, në një produksion të Disney-t.
Për realizimin e flokëve të Blaze-it, Pixar ka përdorur një teknologji të re që mundëson lëvizjen dhe definimin e kaçurrelave të saj në ekran. Thomas Jordan, supervizor i VXP në Pixar, deklaroi për ABC se kjo teknologji ka zgjidhur sfidat e mëparshme teknike për të animuar flokë të gjatë, të ngushtë dhe me kaçurrela.
Përveç detajeve teknike, filmi përfshin elemente të kulturës së përditshme, siç është përdorimi i bonove të satinit për flokët gjatë gjumit. Këto detaje shfaqen kur Blaze zgjohet ose kur fëmijët e tjerë në film përgatiten për gjumë, duke reflektuar praktika reale për mbrojtjen e flokëve me teksturë.
Megjithatë, prezantimi i këtij personazhi ka nxitur reagime të ndryshme në rrjetet sociale. Në platformën Instagram, disa përdorues kanë kritikuar përdorimin e teknologjisë së re, duke e lidhur atë me politika të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI). Disa komente kanë qenë negative, duke përfshirë akuza të pabaza ndaj personazhit.
Në anën tjetër, një numër i madh i përdoruesve kanë dalë në mbrojtje të Blaze-it dhe inovacionit të Pixar-it. Shumë prej tyre kanë vlerësuar përfaqësimin e personazhit dhe vëmendjen ndaj detajeve, duke e konsideruar atë si një shtesë pozitive në eksperiencën e shikuesve të rinj.
Pavarësisht debatit, Blaze Manoukian mbetet pjesë e filmit, duke u bërë pjesë e kanonit të “Toy Story”. Përfaqësuesit e filmit dhe fansat shpresojnë që ky personazh të vazhdojë të shfaqet në projekte të ardhshme të ekskluzivitetit, duke shoqëruar personazhet e njohura si Bonnie.
Burimi: buzzfeed.com
